Maqedoni
Dhuna në familje, psikologët: ekziston, por nuk paraqitet
16.05.2017 18:05
Dhuna në familje fillon kur një person e përdorë pozitën ose fuqinë e tij që t’i shkaktojë dëm me qëllim personit tjetër...

Shkaktarët e dhunës në familje janë situata ekonomike brenda familjes ose në shtet, përplasje mendimesh etj.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës në Familje, psikologët potencojnë se edhe në vendin tonë është prezente dhuna në familje, kjo më tepër ushtrohet ndaj grave, por shumë raste mbesin të mbyllura dhe nuk paraqiten.
“Zakonisht ndaj atyre që ushtrohet më shumë dhunë janë femrat, ndaj të cilave ushtrojnë meshkujt. Dhuna në familjet shqiptare ekziston, por mungon guximi për t’i paraqitur rastet, vetëm për shkak që të mos flitet për ata dhe të mos kuptohet. Pra, ekziston dhuna, por nuk e ngrenë zërin”,- deklaroi psikologja, Edina Mici.
Shumica e qytetarëve nuk jepnin përkufizim nëse ka ose jo dhunë në familjet shqiptare, disa të tjerë pohonin është evidente në shoqëri.
“Unë nuk mund të jap ashtu përgjigje për këtë temë”,- u shpreh një qytetar.
“Po, ka dhunë në familje, shumica e familjeve kam dëgjuar që përdorin dhunë. Për momentin nuk kam dëgjuar të ketë raste, por më herët ka pasur më shumë dhunë në shoqërinë tonë. Këtu duhet të intervenojë shteti, por fatkeqësisht shteti i ka dertet e veta dhe nuk mundet qeveri të formojë”,- theksoi një qytetar.
Psikologët shprehen se ka raste kur edhe ndaj burrave ushtrohet dhunë psikike, por edhe fizike, ndonëse këto janë raste më të vogla.
Ata që pësojnë më shumë nga e gjithë kjo situatë janë fëmijët, sepse u shkakton vonesë në procesin e zhvillimit normal dhe trauma të cilat mund mbesin gjatë gjithë jetës.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
