Botë

Uashington, protesta para Ambasadës turke, nëntë të lënduar

17.05.2017 12:57

Të paktën nëntë persona janë lënduar, nga të cilët dy më rëndë, në përleshjet midis ithtarëve dhe kundërshtarëve të presidentit turk...

Nëntë persona u lënduan ndërsa dy të tjerë u arrestuan gjatë protestës së zhvilluar para rezidencës së Ambasadorit turk në Uashington.

Në video duken qartë se si autoritetet turke shtyjnë dhe godasin protestuesit të cilët gjithashtu mbrohen dhe i sulmojnë ata. Dy prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Sipas dëshmitarëve, përleshja nisi kur truproja e presidentit Erdogan sulmoi protestuesit, në mesin e të cilëve kishte gra, fëmijë dhe pleq të cilët mbanin në dorë flamurin e partisë kurde, ndërsa protesta ishte duke u zhvilluar e qetë dhe në mënyrë paqësore.

“Jam e zemëruar sigurisht, sepse ne jemi në ShBA. Këta njerëz vetëm kanë ardhur këtu me presidentin Erdogan, nuk jetojnë këtu dhe ata nuk dinë asgjë për lirinë e ShBA-ve. Nuk munden ata vetëm të sulmojnë gra dhe cilindo person në atë mënyrë. Ka shumë njerëz të lënduar dhe të shtrirë në spital”,- u shpreh një dëshmitare okulare.

Sipas mediave amerikane, ngjarja ndodhi deri sa presidenti Erdogan ishte brenda në rezidencë.

Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë kur presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan, u takua me presidentin e ShBA-ve, Donald Trump, në shtëpinë e bardhë, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm. Temat më problematike që u diktuan ishin situata në Siri, lufta kundër terrorizmit si dhe armatosja e militantëve kurdë nga ana e Shteteve të Bashkuara, veprim ky që nuk është pritur mirë nga Turqia.

Megjithatë, pavarësisht se çfarë mund të jetë diskutuar pa praninë e mediave, në konferencën për shtyp dy udhëheqësit kishin vetëm fjalë të mira për njëri-tjetrin dhe raportet mes dy shteteve. (Leunora Kaliqi, TVM2)