Maqedoni

Xhaferi: Prokuroria të zbardh incidentet e 27 prillit; Remenski: Dhuna në Kuvend, atentat i dështuar ndaj Zaevit

17.05.2017 15:20

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kërkon zbardhjen e plotë të incidenteve të 27 prillit në Kuvend...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kërkon zbardhjen e plotë të incidenteve të 27 prillit në Kuvend, ku u vunë në rrezik jetët e deputetëve, gazetarëve dhe të pranishmëve tjerëve në ato momente në Kuvend. Ai një kërkesë të tillë e paraqiti gjatë dëshmisë së tij në Prokurorinë Publike. 
 
“Informova prokuroren përkatëse me të gjitha aspektet e ngjarjes në kuptimin e asaj që implikon kryerjen e veprave penale ndaj institucionit, Parlamentit të RM-së, ndaj deputetëve, gazetarëve dhe të tjerëve që ishin të rrezikuar për jetë brenda Parlamentit. Besoj që dëshmia ime do të kontribuojë për definimin e plotë të inkriminimit të të gjithë atyre që janë të përfshirë në kryerjen e veprës adekuate penale me veprimet apo mosveprimet e tyre”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Në Prokurori ishte edhe deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, e cila pas dëshmisë së saj tha se dhuna në Kuvend më 27 prill ishte një atentat i dështuar ndaj kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev. Sipas Remenskit, sulmi ishte organizim kriminel, terrorist dhe nuk mund kryerësit e saj të përgjigjen për veprën “pjesëmarrje në turmë”. 
 
“Edhe kjo që folëm sot para Prokurorisë Publike duhet të merret më seriozisht, sepse nuk bëhet fjalë për person të rëndomtë apo bartës të ndonjë funksioni shtetëror, por për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Maqedonisë mbi të cilin ka pasur tentim serioz për atentat, por që për fat të mirë i pasuksesshëm”,- tha Frosina Remenski nga LSDM.
 
Sipas Remenskit, po ashtu nevojitet hetim për involvimin e ushtrisë dhe policisë në të gjithë rastin. Deri më tani Prokuroria Publike ka ngritur disa akuza për pjesëmarrje në turmë, ndërkaq vetëm dy persona akuzohen për veprën “tentim për vrasje”. Ngjarja e 27 prillit la të lënduar disa deputetë dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI