Maqedoni
Xhaferi përshëndet reflektimin e Ivanovit, gati për seancë sapo të kërkojë mandatari
17.05.2017 15:43
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka përshëndetur reflektimin e presidentit, Gjorge Ivanov, për t’ia dhënë mandatin liderit socialdemokrat, Zorn Zaev, për formimin e qeverisë së re...

Njëherit, Xhaferi shprehu gatishmërinë që të thërrasë seancë kuvendore për zgjedhjen e qeverisë së re sapo mandatari të kërkojë një gjë të tillë sipas procedurave ligjore.
“Vlerësoj se kjo është rruga që hap edhe formalisht mundësi që të gjitha procedurat legale në Kuvend të përfundohen siç i ka hije demokracisë parlamentare. Ndërsa seanca kuvendore varet nga mandatari, në momentin që do të marr materialin, janë paraparë të gjitha afatet ligjore”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi po ashtu shfaqi shpresë se kjo do të jetë hera e fundit që bartësit e funksioneve shtetërore do të përvetësojnë kompetenca që nuk u takojnë.
“Më gëzon fakti që sipas parashikimeve paraprake që kam pasur Ivanov të ketë reflektuar dhe ka reflektuar në kuptimin e dhënies, gjegjësisht ndarjes së mandatit mandatarit të ri, me çka përskaj të gjitha përgjegjësive që ka për situatën në kuptimin e nxitjes me qëndrimet e tij deri më tani, por le të jetë kjo pikënisja me të cilën nuk do të bëhet praktikë e keqe parlamentare dhe besoj se do të jetë i vetëdijshëm që derisa do të jetë jashtë vendit, të kuptojë rolin dhe pozitën e vet, me çka i ka kontribuuar nxitjes së situatës që ndodhi më 27 prill dhe le të jetë kjo hera e fundit që bartësit e institucioneve të mund të përvetësojnë kompetenca që nuk u takojnë dhe besoj se do të kthjellet që të kuptojë përgjegjësinë e tij për këtë çështje”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi po ashtu bëri të ditur se Kuvendi është i gatshëm të ndërmarrë hapat e mëtejmë për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave dhe shpalljen e zgjedhjeve lokale, sapo partitë politike të kenë harmonizuar çështjet e komisioneve përkatëse.
GYLTENE SINANI
