Maqedoni

Funksionimi i komunave, Lata: S’ka nevojë për panik, situata drejt zgjidhjes

17.05.2017 15:51

Komunat do të duhet të funksionojnë pavarësisht skadimit të mandatit deri në caktimin e datës së zgjedhjeve dhe vazhdimin e mandatit të pushtetit vendor...

Deklarata e kryetarit të komunës së Dibrës, Ruzhdi Latës, dhënë në emisionin “Argument” në TVM2  mbështet në faktin se pavarësisht përfundimit të mandatit juridik, kryetarët kanë mandat moral që të vazhdojnë punën në kornizat e lejuara  juridike.
 
“Veç problemet kanë marrë zgjidhje, kanë filluar të zgjidhen në realitet dhe unë besoj deri në fund të muajit se edhe rrogat e arsimtarëve do të jenë, edhe rrogat e zjarrfikësve do të jenë, edhe rrogat e të punësuarve do të jenë dhe nuk duhet të mbjellim panik te masa. S’ka nevojë të dramatizohen punët edhe aq shumë, sepse do apo nuk do dikush kjo zgjidhje do të bëhet”,- u shpreh përfaqësuesi i BDI-së, Ruzhdi Lata. 
 
Neziri: legjitimiteti i kryetarëve, i kontestueshëm 
 
Vlerësimi i tillë u kundërshtua nga përfaqësuesi i LR-PDSh-së, Adnan Neziri, i cili konteston legjitimitetin e drejtuesve të pushtetit lokal. 
                                              
“Nëse kryetari nuk ka mandat, ai nuk mund të funksionojë për shkak se bllokohen të gjitha proceset, kryetari në komunë është organ ekzekutiv. Nëse ai nuk i ekzekuton proceset, nuk mund që ato të realizohen. Ju mund të vini në punë, por ju nuk mund të kryeni punën, për këtë arsye duhet të alarmohet situata dhe të kërkohet zgjidhje”,- theksoi përfaqësuesi i LR-PDSh-së, Adnan Neziri. 
 
Shabani: Qytetarët do t’i mbijetojnë situatës
 
“Cilën punë nuk mund ta kryejmë? Çdo punë mund ta kryejmë, absolutisht çdo punë, të funksionojë gjimnazi, shkollat fillore, kopshtet, ndërmarrjet publike, po qese ka nevojë edhe një vjet”,- tha përfaqësuesi i BDI-së, Ruzhdi Lata.
 
Arafat Shabani nga Lëvizja BESA thotë se kolapsi në komuna është sfidë për kryetarët, por vlerëson se qytetarët nuk do të ndeshen me pengesa të mëdha.
 
“Qytetari nuk mund të kurorëzohet, d.m.th. mund të mbijetojë edhe një muaj pa kurorëzim. Parashtrohet çështja çka nëse kemi fatkeqësi elementare, natyrore ose me atë që spekulohej se presidenti mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, atëherë çfarë funksioni do kishin kryetarët, si do të mbijetonim ne, parashtrohen shumë pyetje hipotetike, por mendoj se qytetarët me këto shërbime që i kanë marrë deri më tash mund të mbijetojnë, dy javë, një muaj e kështu me radhë”,- deklaroi përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Arafat Shabani. 
 
Sipas panelistëve, kryeparlamentarit i mbetet të konvokojë mbledhje dhe me shumicë të thjeshtë të bëjë ndryshimin e kodit zgjedhor, ku do të caktohej data e zgjedhjeve dhe do të prolongohej mandati i kryetarëve të komunave deri në mbajtjen e tyre.
 
MERAL ISMAILI