Raporti gjashtëmujor i “Megjashit”: 50 fëmijë, viktima të shkeljes së të drejtave
Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi”....

Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi”, në periudhën nga nëntori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017 ka realizuar 44 kontakte me informatorë për gjithsej 50 fëmijë, viktima potencialë të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, nga të cilët 27 raste të shkeljes së të drejtave të fëmijëve gjatë procedurave të shkurorëzimeve dhe dhjetë raste të dhunës në familje.
Këtë e tregon raporti gjashtëmujor për punën e SOS linjës telefonike, i cili u shpalos me rastin e Ditës Ndërkombëtare të SOS linjave për ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve në botë.
“Shumë raste kanë të bëjnë me abuzim seksual të fëmijëve, kohët e fundit të rriturit këtë e ushtrojnë tek fëmijët. Dekurajues është fakti që dhuna regjistrohet nëpër shkolla, nuk paraqitet në kohë nëpër qendrat për punë sociale. Prindërit nuk janë të informuar sa duhet për problemet e fëmijëve dhe paraqiten me vonesë në polici, ndërsa policia gjatë vikendit nuk angazhon mjekësi ligjore dhe inspektorë për të mitur që ta dëshmojnë fajin dhe rasti prolongohet pesë ose gjashtë ditë pas ngjarjes”,- deklaroi kryetari i “Megjashit”, Dragi Zmijanac.
“Është shqetësuese ajo që pas 24 vitesh punë të SOS linjës telefonike nuk ka përmirësim të gjendjes me respektimin e të drejtave të fëmijëve në praktikë dhe jemi dëshmitarë të asaj kur fëmija dhe autori i veprës janë në rrugë, institucionet shtetërore nuk kanë vepruar në pajtim me protokollet për mbrojtjen e fëmijëve”,- tha Zmijanec.
Paraqitjet janë në telefon, përmes faqes së rrjetit social facebook ose përmes postës elektronike. “Ajo që është në trend është se fëmijët kërkojnë ndihmë për trajtim psikologjik dhe ndihmë direkte”,- njoftojnë nga Megjashi. SOS numri për fëmijë dhe të rinj është 0800 1 2222, kjo linjë ekziston 24 vjet dhe deri më tani janë regjistruar 20.581 thirrje. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
