Mogerini dhe Han përshëndesin dhënien e mandatit, BE mbështet Qeverinë e re të Zoran Zaevit

17.05.2017 16:55

Përfaqësuesja e lartë për siguri dhe politikë të jashtme e BE-së....

Përfaqësuesja e lartë për siguri dhe politikë të jashtme e BE-së, Federika Mogerini, dhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, e përshëndetën vendimin e presidentit Ivanov që të mandatojë liderin socialdemokrat për formimin e qeverisë së re.

Në njoftimin e përbashkët të zyrtarëve europian thuhet: “Shpresojmë se kjo frymë konstruktive do të vazhdojë të sundojë, me qëllim që vendi përfundimisht të dalë nga kriza politike. Presim formimin e shpejtë të Qeverisë, e cila do të jetë e përkushtuar në implementimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Përzhinës, si dhe të reformave urgjente. I ftojmë të gjitha partitë parlamentare t’i lënë mënjanë dallimet dhe së bashku të përkushtohen në agjendën reformuese, që vendin ta kthejnë në rrugën e integrimeve euroatlantike. Këtë e kërkon dhe meriton populli”,- theksojnë Mogerini dhe Han.

Ata njëherit shprehin gatishmëri për ta mbështetur qeverinë e re të Zoran Zaevit. “Ne jemi të gatshëm që ta mbështesim Qeverinë e re, në përpjekjet e saj reformuese”,- theksoi Han dhe Mogerini.

AMBASADA E SHBA-VE: SHBA-TË DO TË PUNOJNË ME QEVERINË E RE

Ndarja e mandatit është përshëndetur edhe nga Ambasada e ShBA-së në Shkup. “Është e rëndësishme të nënvizohet se presidenti Ivanov dhe liderët e partive të koalicionit të shumicës kanë gjetur mënyrë për të bashkëpunuar në rrugë konstruktive për të arritur këtë hap të rëndësishëm për qytetarët e Maqedonisë. Ne presim të punojmë me Qeverisën e re sapo ajo të formohet, ne shpresojmë që ajo do të formohet shpejtë. Ka shumë punë për t’u bërë që Maqedonia të ecë përpara në reformat urgjente dhe në avancimin në rrugën e saj drejt Bashkësisë Euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten mik dhe partner i Maqedonisë, dhe ne presim të punojmë me Qeverinë e re për t’i mbështetur këto reforma dhe progres”,- thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane në Shkup.