OEMVP dhe ALBIZ, konferencë kushtuar sfidave të bashkëpunimit
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe Fondacioni për Zhvillim të Arsimit dhe Kulturës ALBIZ....

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe Fondacioni për Zhvillim të Arsimit dhe Kulturës ALBIZ, organizuan konferencë përfundimtare të projektit “Sfidat e bashkëpunimit mes sektorit civil dhe sektorit të biznesit", i cili financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve IPA. Projekti kishte për qëllim nxitjen e përgjegjësisë sociale të kompanive dhe qëndrueshmërinë financiare të shoqërisë civile për projekte dhe aktivitete.
“Edhe përskaj krizës së vështirë ekonomike dhe politike, komuniteti i biznesit është i hapur dhe realisht tregon shenja pozitive që në sferën e përgjegjësisë shoqërore, nëpërmjet të cilës arrin që të përkrah sektorin civil në aktivitetet e tyre të përditshme që i tangon sinqerisht çdo sferë të zhvillimit të shoqërisë”,- deklaroi drejtori ekzekutiv në OEMVP, Fatmir Bytyqi.
“Një ndër prioritetet e veta ka qenë dhe themelimi i strategjisë afatgjate që do shërbejë për përmirësimin e gjendjes në bashkëpunimin mes sektorit të biznesit dhe atij civil, strategji që tashmë është përpiluar dhe do të shërbejë në të ardhmen për të zhvilluar bashkëpunim në nivel më të lartë mes këtyre dy sektorëve”,- tha drejtori ekzekutiv i Fondacionit ALBIZ, Ilir Idrizi.
Gjatë konferencës u konstatua se problemet më të theksuara që pengojnë bashkëpunimin mes komunitetit të biznesit dhe sektorit civil janë besueshmëria e ndërsjellë dhe pengesat ligjore. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
