Tahiri: Sektori mediatik ka nevojë për reforma

17.05.2017 17:35

Vetërregullimi i mediave është e vetmja rrugë që mund të rikthejë respektimin e standardeve profesionale në gazetari....

Vetërregullimi i mediave është e vetmja rrugë që mund të rikthejë respektimin e standardeve profesionale në gazetari. Ky është konstatimi i shefave të delegacionit të BE-së dhe OSBE-së në Shkup, Samuel Zhbogar dhe Nina Suomalainen.

“Për fat të keq, gazetaria sot përballet me sfida të mëdha, me padrejtësi të shumta në profesion, etikë dhe përgjegjësi sociale. Integriteti personal i të gjithëve në tregun mediatik, largimin e censurës dhe imponimin e të tjerëve në gazetari është baza kryesore e të gjitha akteve tjera dhe mediave profesionale”,- deklaroi shefi i delegacionit të BE-së, Samuel Zhbogar.

“Vetërregullimi është zgjidhje e duhur sepse e njëjta ndihmon në përforcimin e punës etike të mediave, të bazuar në të vërtetën dhe besimin. Ne e shohim këtë si garanci të ruajtjes së lirisë së mediave dhe për këtë arsye mbështesim këtë ide”,- theksoi shefi i misionit të OSBE-së, Nina Suomalainen.

I të njëjtit mendim është edhe profesori universitar, njëherit anëtar i Këshillit të Etikës, Sefer Tahiri, i cili sot prezantoi publikimin “Informimi në interes të publikut”. Gjendja është aq e përkeqësuar, thotë Tahiri, saqë prej 150 ankesave të dorëzuara, kryesisht të gjitha kanë të bëjnë me mungesën e theksuar të burimit të dytë në media dhe distancës profesionale të gazetarëve nga partitë politike.

“Konstatojmë se është e nevojshme të bëhet një reformë institucionale, legjislative dhe një reformë e përgjithshme e sektorit mediatik, që do ta sjellë në binar normal sektorin mediatik dhe gazetarinë në përgjithësi, dhe do ta orientojë gazetarinë që t’i shërbejë qytetarëve dhe informimit të drejtë të qytetarëve”,- tha anëtari i Komisionit për ankesa, Sefer Tahiri.

Kjo konferencë u organizua me ndihmën e grandit të ndarë përmes projektit “Reformedia - përparim i bashkëpunimit midis shoqërisë civile, institucioneve dhe të qytetarëve për zbatimin e reformave në sferën mediale”, që e zbatojnë “Instituti i Maqedonisë për Media”, “Instituti paqësor” nga Ljublana, me mbështetje financiare nga Bashkimi Europian. (Rexhep Qamili, TVM2)