Zaev: Do të ndërtojmë shtet juridik për të gjithë
Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, ia ka dorëzuar mandatin kreut të Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaevit....

Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, ia ka dorëzuar mandatin kreut të Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaevit.
Gjatë aktit solemn, Ivanovi tha se pengesat për dhënien e mandatit tashmë u larguan dhe pret përmbushjen e detyrimeve kushtetuese, ndërsa mandatari, Zoran Zaev, i bëri publike garancitë të cilat i dorëzoi me shkrim deri tek presidenti Ivanov.
“Pengesat për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë së re janë mënjanuar. Sot po i qasemi përmbushjes së nenit 84, alineja 1, nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, e cila ka shumicën në Kuvendin e RM-së, ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do t’i ndahet mandati për formimin e Qeverisë së RM-së”,- tha presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov.
Garancitë e prezantuara nga mandatari për Qeverinë e re, Zoran Zaev, janë:
“-Garantojmë karakterin unitar të shtetit, integritetin territorial, pavarësinë dhe multietnicitetin e RM-së;
-Garantojmë rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të RM-së;
-Garantojmë mbrojtjen e interesave shtetërore dhe përparimin e jetës të të gjithë qytetarëve pavarësisht nga dallimet e tyre etnike dhe religjioze;
-Garantojmë se procesi i sjelljes së vendimeve për qytetarët e RM-së do të jetë në pajtim me sundimin e së drejtës, duke mos e shpjerë Maqedoninë në situatë përkulëse apo të varur nga tjetër shtet;
-Asnjë dokument, platformë, deklaratë apo akt që do të jetë në kundërshtim me pikat e lartëtheksuara nuk mund të jetë kusht për formimin dhe funksionimin e Qeverisë”.
Menjëherë pas marrjes së mandatit, Zaevi u zotua se qeveria e re do të mundësojë që vendi të ecë përpara dhe të ketë perspektivë europiane për të gjithë qytetarët e vendit.
“Të gjitha forcat do t’i koncentrojmë në ndërtimin e drejtësisë dhe shtetit juridik. Të sigurojmë kushte për jetë kualitative për të gjithë qytetarët në Maqedoni me respektim të ndërsjellë. Për respektimin e multietnicitetit dhe marrëveshjes kornizë. Në këtë mënyrë do t’i hapim perspektivat e qytetarëve dhe të Maqedonisë moderne, bashkëkohore dhe euroatlantike. Kjo ditë është një fillim i ri për Maqedoninë. Fillojmë të ndërtojmë shoqëri me mundësi të njëjta për të gjithë”,- u shpreh mandatari për qeverinë e re, Zoran Zaev.
Mandatari, Zoran Zaev, paralajmëroi se nuk do të presë 20 ditët e parashikuara me Kushtetutë, por me partitë e shumicës parlamentare do të mundohet që ta formojë kabinetin qeveritar për më pak se 10 ditë.
Ai gjithashtu apeloi që të gjitha vendimet të merren brenda institucioneve, ndërsa nuk beson se do të përballet me opstrukcione gjatë transferimit të pushtetit. (Naim Ramadani, TVM2)
