Zaevi takon Kasamin: Bisedimet do t’i nisim me BDI-në
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Zoran Zaev, ka takuar kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasamin....

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Zoran Zaev, ka takuar kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasamin, me të cilin ka diskutuar për dinamikën e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re.
Zaevi ka thënë se fillimisht do të nis bisedimet me BDI-në, për të vazhduar më pas me subjektet tjera shqiptare.
“Ajo që u morëm vesh me Bilall Kasamin është se duhet të ruajmë rendin e punëve. Së pari do të fillojmë takime me BDI-në, më pas me BESËN dhe tani me Aleancën për shqiptarët. E gjithë kjo me qëllim t’i afrojmë qëndrimet dhe më pas të ulemi të gjithë së bashku. Qëllimi im është që një ditë më parë të mbarojmë. Shumë qytetarë presin, i presin subvencionet bujqit, të hiqet testimi ektern, pret edhe PSP”,- deklaroi Zoran Zaev nga LSDM.
Nga BESA deklaruan se është bërë fjalë për zhvillimet aktuale në vend, ndërsa nuk mund të saktësojnë nëse BESA do të jetë apo jo pjesë e qeverisë.
Një ndër temat e takimit ka qenë edhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale. (Besimi Abdullai, TVM2)
