Shqipëri, a do të arrijnë marrëveshje Rama dhe Basha?

17.05.2017 19:41

Edhe në Shqipëri temë aktuale janë zgjedhjet parlamentare....

Edhe në Shqipëri temë aktuale janë zgjedhjet parlamentare, ku me ndërmjetësim ndërkombëtar po bëhen përpjekjet e fundit për të bindur opozitën të garojë në zgjedhje. Kryeministri, Edi Rama, ka ftuar përmes rrjeteve sociale të japë përgjigje për ofertën.

“Lulzim Basha, mos fol në emër të ShBA-ve, se flasin vetë! Lëri letrat publike dhe mos u fshih pas McAllister. Fokusohu tek oferta që ke në tryezë”,- shkruan Rama në Twitter.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, Donald Lu, në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike dërgoi një letër publike për kryeministrin, Edi Rama, ku konfirmon qëndrimin e opozitës në mbështetje të paketës së prezantuar nga ndihmës zëvendëssekretari i Shtetit, Hoyt Yee.

Pas publikimit të 16 pikave, ku Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar i udhëhequr prej saj sqaronin se për çfarë kishin rënë dakord për zgjidhjen e krizës, në selinë blu mbërriti ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu. Kryediplomati amerikan është takuar për dy orë me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas daljes nga PD, Donald Lu i është drejtuar selisë së Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Rama. Nuk janë dhënë detaje për takimet.