Botë

Hetimi për Rusinë, në SHBA emërohet prokuror special

18.05.2017 09:28

Një ish-drejtor i FBI-së është emëruar këshilltar special për të mbikqyrur hetimin e ndërhyrjes së pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane dhe çdo lidhje të mundshme me fushatën Trump...

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, caktimi në këtë detyrë i ish-shefit të Byrosë së Hetimeve, Robert Mueller, është në interesin e publikut, pasi bëhet fjalë për një person jashtë skenës politike. Si rrallë gjatë kohëve të fundit, emërimi i Mueller, i cili pranoi detyrën dhe tha se do ta kryejë me përgjegjësi, u përshëndet nga të dyja anët e spektrit politik në SHBA. 
 
72-vjeçari Mueller ka shërbyer për 12 vjet si shef i FBI-së nën Presidentët George Bush dhe Barack Obama dhe ai gëzon respekt të thellë në vend. Thirrjet për një prokuror special ishin shtuar ndjeshëm që pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së James Comey nga Presidenti Donald Trump. FBI dhe Kongresi po hetojnë për të zbuluar lidhje të mundshme mes ekipit elektoral të Trump dhe Rusisë, diçka që mori shkas nga zbulimet e inteligjencës amerikane, që beson se Moska tentoi të ndikojë zgjedhjet në favor të republikanit Trump. 
 
Ky i fundit, menjëherë pas emërimit të Robert Mueller tha se hetimi i ri do të tregojë se ai dhe ekipi i tij nuk kanë bërë asgjë të gabuar, megjithëse më herët Shtëpia e Bardhë pretendonte se nuk kishte nevojë për një person nga jashtë për të udhëhequr hetimin. Por, Departamenti i Drejtësisë ka këmbëngulur mjaft fort në këtë pikë, diçka që u kuptua qartë nga komentet e zëvendësprokurorit të përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili tha se ishte e arsyeshme që hetimi të kalonte në duart e dikujt që gëzon pavarësi nga zinxhiri normal i komandës. 
 
Më herët, mediat amerikane raportuan se Trump kishte tentuar të ndërhynte në hetim, duke i bërë presion ish-drejtorit Comey dhe emërimi i Mueller duket se shmang pikërisht këtë, pavarësisht nëse raportet janë të vërteta apo jo./Top Channel