TESTIMI EKSTERN

Nga 2 qershori fillon testimi ekstern

28.05.2014 16:24

Prej sot, në shkollat fillore dhe të mesme të vendit ka filluar publikimi i emrave të nxënësve dhe dita e mbajtjes së testimit ekstern, i cili do të fillojë që nga dita e hënë……….

Prej sot, në shkollat fillore dhe të mesme të vendit ka filluar publikimi i emrave  të nxënësve dhe dita e mbajtjes së testimit ekstern, i cili do të fillojë që nga dita e hënë. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se tre ditë para testimit, nxënësit do të dinë se cilat do të jenë dy lëndët në të cilat ata do të testohen.

“Testimi ekstern do të fillojë prej ditës së hënë dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Në të gjitha shkollat janë bërë përgatitjet, janë vënë të gjithë test-artikuluesit, të gjithë ato që janë paraparë nga MASH-i dhe besoj se problem të asaj natyre nuk do të ketë”, deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri.

Pyetjet për testimin ekstern janë dhënë rreth një muaj më parë dhe siç njoftojnë nga Ministria e Arsimit, janë pranuar 3 mijë e 461 vërejtje dhe është bërë korrigjimi i pyetjeve.

“Të gjitha vërejtjet që janë paraparë në testimin ekstern, të cilat kanë qenë komente, vërejtje, sugjerime, të cilat kanë qenë përmbajtjesore të aspektit teknik, aspektin e logjikshëm të parashtrimit të pyetjeve, gabimet teknike që kanë qenë gjatë përgatitjes së pyetjeve, të gjitha ato janë tejkaluar”, tha zëvendësministri Neziri.

Testimi ekstern do të përfshijë 189 mijë e 37 nxënës që nga klasa e katërt e arsimin fillor e deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm, si dhe 18.126 arsimtarë në 680 shkolla fillore dhe të mesme. Testimin do ta ndjekin 638 vëzhgues, ndërsa do të angazhohen edhe 175 administratorë.

Krahas në shkolla, oraret e testimit do të publikohen edhe në ueb faqen e Qendrës Shtetërore për Testim, në: prasanjaeksterno.dic.edu.mk.

Rezultatet do të publikohen në etapa, me atë që përparësi si gjatë testimit ashtu edhe në gjatë marrjes se rezultateve do të kenë nxënësit e klasës së tetë, për shkak të regjistrimit në shkollat e mesme që fillojnë më 18 qershor në Akademinë Sportive, për të vazhduar më 23 qershor në shkollat tjera. (Gyltene Sinani, TVM2)