Botë
ShBA - ndikimi në zgjedhje, ish-shefi i FBI-së merr në dorë çështjen e Rusisë
18.05.2017 11:56
Pas debateve të shumta që kanë sjellë dyshimet për lidhje të mundshme mes fushatës së Donald Trumpit dhe Rusisë...

Pas debateve të shumta që kanë sjellë dyshimet për lidhje të mundshme mes fushatës së Donald Trumpit dhe Rusisë, autoritetet amerikane kanë caktuar ish-shefin e FBI-së, Robert Mueller, për të hetuar mbi çështjen, një veprim ky që është përshëndetur si nga demokratët e Kongresit, ashtu edhe nga republikanët.
Ekspertët shprehen se 72-vjeçari është një person i jashtëm dhe që gëzon eksperiencën e duhur për të marrë në dorë raste të ndjeshme. Mueller vjen me një eksperiencë relativisht të gjatë, ndërsa pozita e tij më e lartë ka qenë drejtimi i Byrosë Federale të Investigimit, duke filluar nga viti 2001, e deri në lënien e detyrës në vitin 2013.
Caktimi i tij për çështjen e Rusisë erdhi pas kërkesave të shumta të bëra nga zyrtarë të lartë të Uashingtonit, në kushtet kur vazhdimisht janë zbuluar fakte të reja. Kjo gjë ka bërë që autoritetet e inteligjencës amerikane të dyshojnë se Rusia ka ndikuar në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të mbështesnin zgjedhjen e presidentit, Donald Trump. Megjithatë, si Moska ashtu edhe lideri aktual i Shtëpisë së Bardhë i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar si të pabaza.
