Botë
Vazhdojnë luftimet për Raqqan, mijëra refugjatë i drejtohen shkretëtirës
18.05.2017 14:06
Në shkretëtirën në perëndim të Raqqas, në Siri, larg syve të opinionit, po ndodh një eksod i ri...

Mijëra njerëz, në këmbë apo makina të vjetra, largohen nga fshatrat që deri dje kanë qenë nën pushtimin e ISIS-it. Me vete kanë kafshët dhe rrobat e pakta. Aisha Atioa është 7-muajshe shtatzënë, por u detyrua të braktisë shtëpinë para tre ditësh.
“Nën ISIS-in kemi bërë një jetë të tmerrshme, na detyronin të mbuloheshim tërësisht, nuk na pëlqente”,- theksoi refugjatja nga Raqqa, Aisha Atioa.
Ushtria amerikane beson se në Raqqa ka 3-4 mijë ushtarë të ISIS-it, që vlerësohen si ekzekutorë apo vrasës. Janë këta njerëz për të cilët Amerika beson se nuk do të dorëzohen të gjallë. Forcat amerikane dhe kurde tashmë kanë nën kontroll qytetin Tabqa, 25 km larg Raqqas.
“Kemi shpresë të hyjmë në Raqqa deri muajin e ardhshëm e ta lirojmë qytetin me shpresë, deri në fund të verës”,- tha komandanti i trupave kurde, Rojda Filat.
Por, kjo datë duket shumë e gjatë për këta mijëra njerëz, që tashmë kanë mbushur shkretëtirat dhe malet, me shpresë që një ditë do të kthehen në shtëpitë e tyre pa frikë nga askush.
BELINDA KOKA-ADEMI
