Maqedoni
Austria, mbështetje mësimit për sipërmarrësi
18.05.2017 15:14
Ministria austriake e Arsimit nëpërmjet “Kultur Kontakt Austria” mbështet aplikimin e mësimit të sipërmarrësisë në shkollat e vendit...

Bëhet fjalë për projektin rajonal i cili realizohet në bazë të memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë dhe Organizatës “Kultur kontakt Austria”.
“Maqedonia ka nevojë për reforma, sidomos në sferën e arsimit. Përfshirja e arsimtarëve në sferën e ndërmarrësisë gjithmonë është prioritet për t’u dhënë nxënësve njohuri dhe shprehi në ndërmarrësi, që i rrit mundësitë për punësim. Austria është e kënaqur me mbështetjen e shkollave në Maqedoni në këtë sfidë dhe nëpërmjet përgatitjes së gjashtë trajnerëve dhe më shumë se 90 nxënësve nga e gjithë Maqedonia, shpresojmë se do të jenë në gjendje të aplikojnë në këto inovacione”,- u shpreh ambasadorja e Austrisë në Maqedoni, Renate Kolber.
Vitet e fundit janë bërë disa hapa të rëndësishëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha segmentet në sistemin arsimor në Maqedoni, thotë ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu. Ai në këtë drejtim përmend ndryshimet e iniciuara në përmbajtjet mësimore nga 6 lëndë në arsimin fillor nëntëvjeçar, ku janë futur tema nga fusha e sipërmarrjes dhe inovacionit.
“Arsimi në sipërmarrësi ka zënë një vend të rëndësishëm në prioritetet e MASh-it. Kreativiteti dhe inovacionet janë të nevojshme në çdo sferë të jetës shoqërore dhe ekonomike në RM, andaj MASh në kontinuitet ka ndërmarrë masa me të cilat arsimi për sipërmarrësit të praktikohet si pjesë e procesit të rregullt mësimor”,- theksoi Pishtar Lutfiu nga MASh.
Projekti ka për qëllim përgatitjen e trajnuesve të cilët vazhdojnë me trajnime të mësimdhënësve për realizimin e suksesshëm të mësimit për biznes dhe sipërmarrësi.
GYLTENE SINANI
