RASHÇE

Kaplohet nga zjarri SH.F. “Dituria” në Rashçe

28.05.2014 16:40

Zjarri ka kapluar gjysmën e objektit, ndërsa flakës i kanë shpëtuar vetëm klasat ku vijojnë mësimin 420 nxënësit e kësaj shkolle…..

Një numër i madh i banorëve të Rashçës dhe 7 automjete zjarrfikëse janë angazhuan që të shuajnë zjarrin, i cili po përhapej me shpejtësi të madhe për shkak të ndihmesës nga era që frynte mbrëmë.

Zjarri ka kapluar gjysmën e objektit, ndërsa flakës i kanë shpëtuar vetëm klasat ku vijojnë mësimin 420 nxënësit e kësaj shkolle.

Drejtori i shkollës, Ramadan Kovaçi, thotë se zjarri ka shpërthyer si rezultat i instalimit të vjetër elektrik, ndërsa akoma nuk dihet se sa dëm material është shkaktuar.  

“Zjarri e kaploi shkollën në orën 23 të mbrëmjes. Gjendja faktike shihet, vlerësimin e dëmit e kemi kërkuar nga ekspertiza që të vijnë dhe ta konstatojnë”, - deklaroi drejtori i shkollës, Ramadan Kovaçi.

Për t’u njoftuar me dëmin e shkaktuar në shkollën “Drita” në Rashçe, sot qëndruan Ministri i Arsimit, Spiro Ristovski dhe zëvendësministri Safet Neziri, të cilët premtuan se do të punojnë në riparimin sa më të shpejtë të këtij objekti shkollor.

“Që nga dita e sotme do të dërgojmë ekip profesional për ta vlerësuar dëmin dhe ç’farë mund të ndërmerret, që në të ardhmen të riparohet, që tërë objekti të jetë funksional për 1 shtatorin e vitit të ardhshëm.  Të gjitha aktivitetet shkollore do të zhvillohen normal, të gjitha aktivitetet që i kemi paraparë, si dhe vlerësimi ekstern është se do të zhvillohen në rrugën e duhur dhe nuk do të kemi telashe”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri.

Po ashtu nga Ministria e Arsimit theksojnë se objekti i djegur nuk do të paraqet problem në realizimin e testimit ekstern, i cili do fillojë më 2 qershor. Ndërsa kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, u zotua se do të angazhohet maksimalisht që vitin e ri shkollor nxënësit dhe arsimtarët ta fillojnë në objekt të riparuar.

“Ne do të bëjmë çmos në këtë drejtim dhe patjetër e kam që të kërkoj ndihmë edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që sa më shpejt që është e mundur bashkërisht me ne të participojmë financiarisht, që në shtator kur fillon procesi edukativo-arsimor, nxënësit të kenë mundësi të kthehen në sallën e tyre dhe arsimtarët në zyrat e tyre, në objekt të riparuar”, potencoi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Gjatë ditës së sotme, të punësuarit në këtë shkollë dhe disa nxënës inventarin e shpërndarë nga fatkeqësia e mbrëmshme e sistemonin në klasat e paprekura nga zjarri. (Sanije Kasami, TVM2)