Hojt Yee: Rusia përpiqet të minojë Ballkanin; Dioguardi: Shqiptarët të kenë të drejta të barabarta me maqedonasit në RM

18.05.2017 15:33

Me përfundimin e turit në Ballkan dhe zgjidhjen e krizave politike në Shqipëri dhe Maqedoni.....

Me përfundimin e turit në Ballkan dhe zgjidhjen e krizave politike në Shqipëri dhe Maqedoni, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, raportoi në nënkomitetin e senatit për situatën në Ballkan.

Sipas tij, Ballkani po përballet me tensione etnike, rritje të nacionalizmit dhe retorikës politike, ndërsa Rusia synon të rrisë ndikimin e saj në këtë rajon. Shqetësimi është ngritur nga zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, në një seancë të nënkomisionit të Jashtëm në ShBA, ku u diskutua për kërcënimet e paqes dhe stabilitetit në këtë zonë. Yee theksoi se është alarmues edhe fakti që ISIS po rekruton me sukses luftëtarë në Ballkan.

“Nëse qeveria nuk dëshiron të mbështesë sundimin e së drejtës, të mbështesë të drejtat e njeriut, është sërish obligimi jonë ta bëjmë të qartë se cilat janë pozitat tona. Në Maqedoni, zgjedhjet rezultuan me një situate ku asnjë parti nuk kishte shumicën. Kishte një kombinim të disa partive për të formuar koalicion që formuan shumicën në Kuvend që të formohet Qeveria. Ky koalicion në një proces normal demokratik, supozohej që të merrte mandatin nga Presidenti I vendit për të formuar Qeveri. Ne jemi përpjekur fuqishëm që presidenti të respektojë Kushtetutën dhe normat demokratike evropiane, bashkë me partnerët evropian, që ai të lejojë formimin e Qeverisë. Jo për njërën parti ose tjetrën, por t’ia japë mandatin shumicës. Ky është princip bazë i demokracisë”,- deklaroi zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee.

Edhe ish-kongresmeni, Joseph dioGuardi, u ndal veçanërisht tek situata në Maqedoni dhe ngjarjet e dhunës muajin e kaluar në Parlament.

“Ne bashkë me unionin evropian garantuam diçka të quajtur Marrëveshja e Ohrit. Gjashtëmbëdhjetë vite kanë kaluar dhe që atëherë gjërat vetëm janë përkeqësuar sepse Gruevski si reketar që është, ftoi partinë shqiptare që e futi në zyrë dhe asgjë nuk është bërë. Ajo që ndodhi në 27 prill, ishte tentim i Gruevskit që të sigurohet se nuk do të ketë reforma dhe nuk do të ketë qeveri të re sepse ai e din që krimet e tij janë të mëdha dhe ka frikë të shkojë në burg. Çfarëdo që ka bërë Ivanov tani nuk do të zgjasë. Është shumë e rrezikshme për Gruevskin që të ketë një Qeveri të re. Duhet një rol më aktiv i Departamentit të Shtetit. Shqiptarët duhet të kenë të drejta të barabarta me maqedonasit dhe diskriminimi ekonomik të marrë fund” - ka deklaruar Dioguardi duke shtuar se konflikti mes shqiptarëve dhe maqedonasve duhej të ndalej, por kjo nuk ka ndodhur edhe pas 16 vitesh dhe raportet janë përkeqësuar.

Dioguardi bëri një krahasim me serbët në Kosovë, kur tha se ata kanë më shumë të drejta se shqiptarët në Maqedoni, ndonëse përbëjnë një përqindje të vogël.