Hapet cikli i tretë i panaireve për punësim, mësoni se çfarë profilesh kërkon tregu i punës
Hapet cikli i tretë i panaireve për punësim në Shkup, i cili do të jetë i hapur deri më 15 qershor....

Hapet cikli i tretë i panaireve për punësim në Shkup, i cili do të jetë i hapur deri më 15 qershor.
Panairi ka për qëllim që qytetarët të informohen se çfarë ofertash dhe kërkesa për punë ofrojnë 60 kompanitë pjesëmarrëse, që të rinjtë të kenë parasysh se çfarë kërkon tregu i punës gjatë regjistrimeve në shkolla të mesme.
“Punëdhënësit kanë mundësi t’i prezantojnë aktivitet e tyre, produktet, shërbimet dhe të gjitha aspektet nga puna e tyre dhe të krijojnë kontakte me një numër të madh të personave pa punë. Nga ana tjetër, vizitorët do të informohen se çfarë kushte ofrojnë punëdhënësit për punë, duke përfshirë këtu edhe programin dhe trajnimet për punë. Ulja e papunësisë nëpërmjet panairit është zvogëluar në Maqedoni në vitin 2006, përqindja e papunësisë ka qenë 36%, tani është 23.7%”,- deklaroi ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
“Agjencia për Punësim është një institucion që dëgjon dhe që realizon kërkesat e punëdhënësve, por edhe të personave të cilët kërkojnë punë. Është hapur nga nevoja e pyetjeve të të rinjve se si të gjejnë punë, prandaj ky është vendi ku ata do të kenë qasje te punëdhënësit”,- theksoi drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.
Në dy ciklet paraprake në të gjitha panairet e hapura ka pasur mbi 70.000 vizitorë të cilët kanë lënë mbi 21.000 biografi, që ka rezultuar me mbi 2000 punësime. Në këtë cikël do të përfshihen gjashtë qytete. Pas Shkupit, panairi do të hapet në Shtip, më 26 maj, në Kavadar - 30 maj, Manastir - 6 qershor, Tetovë - 8 qershor dhe Strumicës - 13 qershor. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
