Ekonomi

OEMVP me projekt për zhvillim të biznesit “Create Hub”, përgjigje e duhur për kyçje në biznes

18.05.2017 16:16

“Create Hub” është projekti i fundit i promovuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore...

“Create Hub” është projekti i fundit i promovuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, i cili synon të nxisë rritjen ekonomike dhe zhvillimin përmes mbështetjes dhe motivimit të të rinjve dhe grave për të investuar dhe për të realizuar idetë e tyre kreative.
 
Projekti parashikon ofrim të hapësirave punuese gjithandej territorit të vendit, konsultime me ekspertë, trajnime dhe seminare, por dhe burime financiare. Nga OEMVP thonë se projekti ka për qëllim të ulë papunësinë  dhe  të krijojë pavarësi financiare.
 
“Kemi vendosur që t’i përgjigjemi problemit madhor të shoqërisë dhe ajo është që t’i krijojmë mundësi të rinjve dhe të rejave që të vijnë dhe të bëhen pjesë e komunitetit të biznesit dhe mos të shohin të ardhmen e tyre në punësim në administratë apo me ikje jashtë vendit, por ta shohin të ardhmen në vendin tonë”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyqi.
 
“Do të jetë i hapur ky Hub, pritshmëritë tona janë në nivel të lartë dhe presim që me të vërtetë që sipërmarrësve të rinj t’u ofrohet kushte me qëllim që idetë e tyre të mund të realizohen”,- theksoi zëvendësshefi i misionit të Ambasadës së Zvicrës, Stefan Tomaxhan.
 
Krahas promovimit të projektit, nga OEMVP rikujtojnë dhe premtimet e Zoran Zaevit për të emëruar një zëvendëskryeministër nga radhët e Odave Ekonomike të Maqedonisë, i cili parimisht do të përfaqësojë interesat e biznesit.
 
OEMVP gjithashtu potencon se 80% e kërkesave të tyre për zhvillim të biznesit janë të përfshira në programin qeveritar. Disa prej kërkesave që pritet të realizohen janë përmirësimi i kushteve infrastrukturore, hapja e pikave të reja kufitare dhe zbatimi i planit për zhvillim të barabartë rajonal.
 
GAZMEND REXHEPI