Dhuna e 27 prillit, shtyhet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve
Gjykata Penale e Shkupit shtyn për më 23 maj seancën e parë gjyqësore

Gjykata Penale e Shkupit shtyn për më 23 maj seancën e parë gjyqësore ndaj nëntë të akuzuarve për dhunën në Kuvend.
Shkak për prolongimin ishte mungesa e të akuzuarit, Angelle Zafirovski, pasi policia e Karposhit nuk ishte e njoftuar se ai nga arresti shtëpiak do të duhej që të sillej në gjykatë.
Të akuzuarit dyshohen për “pjesëmarrje në turmë e cila ndalon personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Përpos Zafirovskit, dhe një të akuzuari tjetër i është shqiptuar masa e paraburgimit shtëpiak, ndërkaq dy të tjerë gjenden në paraburgim në burgun hetues. Për të akuzuarit e tjerë është shqiptuar masa e kujdesit.
Në gjykatë janë thirrur si dëshmitarë edhe persona të tjerë, mes të cilëve edhe pjesëtarë të sigurimit të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, anëtarë të sigurimit të brendshëm të Kuvendit të RM-së dhe sigurimit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Para ndërtesës së Gjykatës Themelore Shkupi 1 sot ishte mbledhur një grup qytetarësh në mbështetje të të dyshuarve.
Ndërkohë që presidenti, Gjorge Ivanov, dje ftoi Kuvendin të vendosë për amnisti eventuale të pjesëmarrësve në incidentet e Kuvendit.
Në ngjarjet e 27 prillit u lënduan disa deputetë, prej tyre më rëndë e pësoi lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela. (Meral Ismaili, TVM2)
