ShBA - ndikimi në zgjedhje, ish-shefi i FBI-së merr në dorë çështjen e Rusisë
Një ish-drejtor i FBI-së është emëruar këshilltar special për të mbikëqyrur hetimin e ndërhyrjes....

Një ish-drejtor i FBI-së është emëruar këshilltar special për të mbikëqyrur hetimin e ndërhyrjes së pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane dhe çdo lidhje të mundshme me fushatën Trump.
Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, caktimi në këtë detyrë i ish-shefit të Byrosë së Hetimeve, Robert Mueller, është në interesin e publikut, pasi bëhet fjalë për një person jashtë skenës politike.
Si rrallë gjatë kohëve të fundit, emërimi i Mueller, i cili pranoi detyrën dhe tha se do ta kryejë me përgjegjësi, u përshëndet nga të dyja anët e spektrit politik në ShBA-ve. 72-vjeçari, Mueller, ka shërbyer për 12 vjet si shef i FBI-së nën presidentët, George Bush dhe Barack Obama, dhe ai gëzon respekt të thellë në vend.
Thirrjet për një prokuror special ishin shtuar ndjeshëm që pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey, nga presidenti, Donald Trump.
FBI dhe Kongresi po hetojnë për të zbuluar lidhje të mundshme mes ekipit elektoral të Trumpit dhe Rusisë, diçka që mori shkas nga zbulimet e inteligjencës amerikane, që beson se Moska tentoi të ndikojë zgjedhjet në favor të republikanit Trump.
Ky i fundit, menjëherë pas emërimit të Robert Mueller, tha se hetimi i ri do të tregojë se ai dhe ekipi i tij nuk kanë bërë asgjë të gabuar, megjithëse më herët Shtëpia e Bardhë pretendonte se nuk kishte nevojë për një person nga jashtë për të udhëhequr hetimin.
Por, Departamenti i Drejtësisë ka këmbëngulur mjaft fort në këtë pikë, diçka që u kuptua qartë nga komentet e zëvendësprokurorit të përgjithshëm, Rod Rosenstein, i cili tha se ishte e arsyeshme që hetimi të kalonte në duart e dikujt që gëzon pavarësi nga zinxhiri normal i komandës.
Më herët, mediat amerikane raportuan se Trumpi kishte tentuar të ndërhynte në hetim, duke i bërë presion ish-drejtorit Comey dhe emërimi i Mueller duket se shmang pikërisht këtë, pavarësisht nëse raportet janë të vërteta apo jo. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
