MAQEDONI

Katër vite e gjysëm burg për vëllezërit Milladinov

28.05.2014 16:49

Përveç kësaj, ata do të duhet që edhe bashkërisht të paguajnë dëmin. Vëllezërit edhe më parë kanë vendim gjyqësor edhe nga Gjykata në Strazbur, ku janë ankuar për paraburgim të pabazë për një vit e nëntë muaj……..

Vëllezërit strugan, Milladinov, sot sërish nga Gjykata Penale në Shkup janë gjykuar për rastin “Izgrev”. Dy vite burg për Dimitar Milladinov, ndërsa 2 vite e gjysmë për vëllaun Gjorgji Milladinov është vendimi gjyqësor.

Përveç kësaj, ata do të duhet që edhe bashkërisht të paguajnë dëmin. Vëllezërit edhe më parë kanë vendim gjyqësor edhe nga Gjykata në Strazbur, ku janë ankuar për paraburgim të pabazë për një vit e nëntë muaj. Gjykata Evropiane mori vendim në dobi të tyre, për çka Maqedonia duhet t’i paguaj dëmshpërblim me nga 3 mijë euro.

“Vendimi në Strazbur është në dobinë tonë, të aplikantëve, se paraburgimi është i paligjshëm dhe joligjërisht kemi qëndruar në paraburgim. Joligjërisht na janë dëmtuar edhe bizneset tona, nuk kishim të drejtë të mbrohemi në liri, që biznesi ynë familjar të rrjedhë normal, gjithçka është shkatërruar dhe kjo është vendimi i Gjykatës në Strazbur”, deklaroi i akuzuari në rastin “Izgrev”, Gjorgji Milladinov.

Dy të akuzuar të tjerë janë dënuar me nëntë dhe pesëmbëdhjetë muaj, dy janë liruar me kusht, ndërsa tetë të akuzuar të tjerë janë liruar nga akuza. Vëllezërit Milladinov, të cilët kanë firmë të përbashkët me kishën ortodokse maqedonase, ishin të akuzuar për mallverzime me hotelin “Izgrev”, fillimisht ishin të gjykuar për larje parash, mashtrim me kredi dhe për dhënien e të dhënave të rrejshme, për çka u dënuan me gjashtë vite e gjysmë burgim, por Gjykata e Apelit e ndërpreu këtë vendim dhe e ktheu lëndën në shqyrtim të sërishëm.

Procesi gjyqësor për këtë rast ka filluar në vitin 2008. Sot u shqiptua vendimi i dytë i shkallës së parë, ndërsa vëllezërit Milladinov nuk janë të kënaqur nga vendimi gjyqësor dhe paralajmërojnë se drejtësinë sërish do ta kërkojnë në Gjykatën në Strazbur. (Florije Kamberi, TVM2)