Rikonstruohet bulevardi kryesor i Kërçovës
Janë intensifikuar punimet rreth rikonstruimit të Bulevardit të Çlirimit në Kërçovë, i cili kohë më parë kapërceu filtrat e tenderimit që ishte pjesë e konkursit të shpallur nga Komuna e Kërçovës…….

Janë intensifikuar punimet rreth rikonstruimit të Bulevardit të Çlirimit në Kërçovë, i cili kohë më parë kapërceu filtrat e tenderimit që ishte pjesë e konkursit të shpallur nga Komuna e Kërçovës. Ky projekt kap vlerën prej 50 milionë denarë.
Punimet në Bulevardin kryesor të Kërçovës janë intensifikuar dukshëm dhe ato janë nën përcjelljen e vazhdueshme të kreut të Kërçovës, Fatmir Dehari. Bulevardi i Çlirimit, i cili paraqet arterien kryesore të lëvizjes së kërçovarëve, tanimë do të ketë pamje plotësisht të re.
Me këto intervenime do të ngushtohet brezi i gjelbër që përshkonte përmes tij, me çka do të fitohet hapësirë në zgjerimin e rrugës dhe tanimë nga të dyja anët e Bulevardit do të ketë nga dy korsi dhe pjesa e mbetur në të dyja anët do të adaptohet në vendparkime.
Emin Nasufi, përgjegjës për informim në kabinetin e kryetarit Fatmir Dehari, thotë se ”ky projekt kap vlerën e 50 milion denarëve, ndërsa punët janë në fazën e parë të zhvillimit. Aktualisht po punohet në rregullimin e infrastrukturës së kanalizimit, përfshirë edhe atë atmosferik, si dhe është bërë shkulja e drunjve të vjetër dhe në vend të tyre do të mbillen drunj të rinj, si dhe do të rregullohen trotuaret e reja.
Gjithashtu në kuadër të këtij projekti është paraparë edhe ndriçim i ri publik, i cili përpos që do të kursejë energji elektrike, do të ketë edhe cilësi më të lartë të ndriçimit.
Përgjatë Bulevardit janë paraparë edhe tre rrethrrotullime, të cilat do ta shkarkojnë në masë të duhur komunikacionin e ngulfatur në qytetin e Kërçovës, i cili ngarkohet tej mase sidomos me ardhjen e gurbetçarëve tanë për pushime në vendlindje. (Shaban Dalipi, TVM2)