Botë
Mogherini dhe Hahn: Treguat pjekuri politike, është koha për vetting
19.05.2017 15:15
Arritja e marrëveshjes politike është përshëndetur edhe nga Komisioni Europian...

Me anë të një letre të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, kanë nënvizuar se liderët politikë iu përgjigjën pritshmërive të qytetarëve duke treguar pjekuri politike.
Për ta, ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm, por Mogherini dhe Hahn presin që kjo marrëveshje të implementohet për të përgatitur zgjedhjet në linjë me standardet ndërkombëtare. Për dy përfaqësuesit e Komisionit Europian, veç zgjedhjeve, rëndësi të madhe ka dhe arritja e marrëveshjes për vettingun.
“Duke qenë se votimi në Parlament i komisioneve të vettingut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të vettingut, i cili është kyç për progresin në rrugën e anëtarësimit në BE”,- thuhet në letër.
Letra e përfaqësueses së lartë, Federica Mogherinit, dhe komisionerit për zgjerimin, Johannes Hahn, mbyllet me sigurinë se Bashkimi Euroopian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të qytetarëve për një të ardhme më të mirë.
Të dy përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian u angazhuan shumë fort në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Veçanërisht komisioneri, Johannes Hahn, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me të dyja krahët politike shqiptare për t’i bindur ata të ulen e bisedojnë, e në fund të gjejnë një zgjidhje.
BESIM ABDULLAI
