“12 pa 5” sërish në tenda, të drejta për personat me aftësi të kufizuar
Personat me aftësi të kufizuara të Nismës Qytetare “12 pa 5” kërkojnë ndryshime ligjore...

Personat me aftësi të kufizuara të Nismës Qytetare “12 pa 5” kërkojnë ndryshime ligjore, me qëllim që t’u lehtësohet jeta e tyre dhe të kenë mundësi për të përparuar më shumë.
Për këtë arsye ata këtë fundjavë do të qëndrojnë nëpër tenda, që të dëgjohen dhe shihen nga partitë politike.
Kampi ka për qëllim të tregojë se edhe personat me aftësi të kufizuara nëse u ofrohen kushte kanë mundësi të tregojnë veten e tyre dhe të kenë sukses në jetë.
“Nuk do të tërhiqemi deri në përmbushjen e kërkesave tona. Kërkesat për momentin po revidohen dhe po përgatiten në formën e akteve ligjore dhe nënligjore, dhe do të jenë të dorëzuara në Kuvend dhe në qeverinë e ardhshme. Ftojmë opinionin në shoqëri, përqafim dhe në aktivitete të përbashkëta. Tre ditët e ardhshme do të jemi në Parkun e Gruas, të tregojmë se edhe fëmijët tanë munden, iu jepet mundësia dhe u sigurohen kushte”,- deklaroi Suzana Stojanovska nga Nisma Qytetare “12 pa 5”.
“Besojmë se në bashkëpunim me institucionet e sistemit, pra me qeverisjen lokale dhe qendrore, do të formojmë grupe punuese ku së bashku do t’i harmonizojmë ligjet, mungesat të cilat me të vërtetë ishin pengesë për standard më të mirë jetësor të kësaj kategorie të fëmijëve”,- theksoi Suaret Alisha nga Nisma Qytetare “12 pa 5”.
Kjo nismë qytetare edhe muajin e kaluar ka qëndruar nëpër tenda para Kuvendit për pesë ditë me radhë dhe kanë mbledhur më shumë se 30 mijë nënshkrime për mbështetje të nismës së tyre për ndryshime të më shumë akteve ligjore dhe nënligjore, me të cilat do t’u lehtësohet jeta e personave me aftësi të kufizuara.
Një prej kërkesave është të fshihet kufiri i moshës prej 26 vjeç në ligjet për sigurim shëndetësor dhe siguri sociale, me të cilën këta persona pas mbushjes së moshës 26 vjeçare nuk kanë të drejtë që të blejnë barëra falas dhe të kenë të drejtën e kompensimit të veçantë.(Ersan Pajaziti, TVM2)
