“Lagja e trimave”, Prokuroria hedh poshtë dëshmitarët e mbrojtjes
Trupi gjykues në rastin e Kumanovës ka hedhur poshtë propozimet e palës mbrojtëse....

Trupi gjykues në rastin e Kumanovës ka hedhur poshtë propozimet e palës mbrojtëse për dëshminë e rreth 30 personave zyrtarë, për të cilët ata konstatojnë se do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Trupi gjykues në këtë rast ka pranuar vetëm propozimin për dëgjim të Shenasi Memetit, - i punësuar në Drejtorinë për Siguri dhe Zbulim, - për të konstatuar nëse ka qenë në kontakt me ndonjërin nga të akuzuarit dhe nëse ai si i punësuar në këtë institucion ka marrë masa të parandalohet konflikti i 9 majit në “Lagjen e trimave”. Trupi gjykues hodhi poshtë propozimet për dëshmi të zyrtarëve të tjerë me arsyetimin se nuk bëhet fjalë për rrethana të reja dhe se dëshmitë nuk janë dorëzuar në kohë. Trupi gjykues nuk pranoi as edhe dëshminë e Stojançe Angellovit, i cili një muaj para konfliktit në Kumanovë kishte paralajmëruar publikisht përgatitjen e të njëjtit.
“Procedura hetimore shkoi në mënyrë dinamike dhe mbrojtja paraqiti propozimet që i pati në seancën e kaluar në lidhje me dëgjimin e dëshmitarëve dhe verifikimin e disa provave, ato dyshime lindën në momentin e prezantimit të atyre provave. Propozimet e palës mbrojtëse janë komplet konform ligjit dhe janë në përputhje me rrethanat e reja të cilat u krijuan gjatë prezantimit të dëshmive. Kurse në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për rrethana për të cilat mbrojtja ka pasur njohuri dhe dijeni në fazën hetimore dhe nuk ka vepruar”,- deklaroi avokati mbrojtës, Ibrahim Bajrami.
Bajrami tha se pasi të përfundojnë me dëshmitarin që e pranoi gjykata si dëshmitar, do t’i përgatisin fjalët përfundimtare.
Për rastin “Lagja e Trimave” - Kumanovë akuzohen 37 persona për veprën penale “terrorizëm” dhe për “mbështetje logjistike”. Gjatë konfliktit më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 humbën jetën 8 policë të MPB-së, ndërsa u vranë 10 anëtarë të “Grupit të armatosur”. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
