Dhuna në Kuvend, MPB me padi penale edhe për dy persona
Ministria për Punë të Brendshme ka ngritur kallëzime penale....

Ministria për Punë të Brendshme ka ngritur kallëzime penale edhe për dy persona të dyshuar për dhunën në Kuvend më 27 prill.
Bëhet fjalë për A. B. nga Tetova dhe A. Sh. nga Shkupi, të cilët, siç njofton MPB, dyshohen për veprën penale “pjesëmarrje në turmë e cila do të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
“I denoncuari i parë, A. B., 60 vjeç, nga Tetova, në momentin e hyrjes në sallën e konferencave ka tentuar të përleshet fizikisht me sigurimin e deputetit, Oliver Spasovski, të cilin edhe e ka kërcënuar. Personi A. SH, 22 vjeç, nga Shkupi, ka hapur me dhunë portën hyrëse të Kuvendit, duke e goditur me duar dhe këmbë, ndërsa më pas ka shtyrë edhe policët të cilët kishin formuar kordonin”,- njoftojnë nga MPB-ja.
Në kuadër të hetimeve, MPB-ja ka zhvilluar bisedë informative edhe me O. R. (42) dhe S. M. (51), të dy nga Shkupi dhe të punësuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Gjithashtu është kryer bisedë edhe me personin S. S. (38) nga Shkupi, pas çka personi është liruar dhe në konsultime me prokurorin publik do të ketë parashtresë adekuate.
Nga MPB njoftojnë se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike - Shkup edhe më tej po ndërmerr masa lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur më 27. 04. 2017 në Kuvendin e Maqedonisë dhe sigurimin e personave të tjerë të denoncuar penalisht, si dhe në identifikimin dhe dokumentimin e personave tjerë pjesëmarrës në ngjarje. Deri më tani MPB ka iniciuar padi penale ndaj 37 personave, 4 prej tyre për “tentim vrasje”, ndërsa 33 për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe pengon personit zyrtar në kryerjen e detyrës”. (Naim Ramadani, TVM2)
