LSDM

Deputetët e opozitës dorëzojnë dorëheqjet në kuvend

28.05.2014 17:58

33 deputet të opozitës maqedonase, të udhëhequr nga LSDM, dorëzuan dorëheqjet në Kuvendin Republikan për të dëshmuar edhe një herë qëndrimin e prerë, për të kontestuar procesin zgjedhor…..

33 deputet të opozitës maqedonase, të udhëhequr nga LSDM, dorëzuan dorëheqjet në Kuvendin Republikan për të dëshmuar edhe një herë qëndrimin e prerë, për të kontestuar procesin zgjedhor.

Lideri i opozitës, Zoran Zaev, kërkoi nga kryeministri Nikolla Gruevski që të merr përgjegjësinë për zgjedhjet, të cilat ai i quajti kriminale, por edhe për problemet që po i gjenerojnë këto zgjedhje.

“Nuk ka pjesëmarrje në Parlament, i cili nuk reflekton vullnetin e vërtetë të qytetarëve. Askush nuk dëshiron të ndikojë në këtë qëndrim të opozitës. Me këtë akt respektohet vendimi i marrë nga organet dhe trupat e partive dhe konfirmohet përcaktimi i fuqishëm i LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit për mospranimin e mandateve. Pushteti i Nikolla Gruevskit dhunshëm i verifikoi mandatet e deputetëve të opozitës, e shkeli edhe Kushtetutën edhe ligjet.”, deklaroi lideri i opozitës, Zoran Zaev.

Përveç deputetëve që dorëzuan dorëheqje në Kuvend, deklarata të verifikuara në noter për refuzimin e mandatit kanë deponuar 119 kandidatët e kësaj partie. Vendimin nuk e ka respektuar vetëm deputetja nga Partia Liberal-demokrate, Roza Topuzova-Karevska.

Opozita nuk merr përsipër as përgjegjësinë për efektin negativ që mund të ketë vendimi i saj në procesin eurointegrues.

Sipas Zaev, opozita nuk ka më në plan të lëshojë pe në emër të eurointegrimeve. Fajtor për ngecjen në këtë plan është vetë Nikolla Gruevski, thotë Zaev.

“Armiku më i madh i RM-së në plan të eurointegrimit është kjo Qeveri, në krye më Nikolla Gruevskin. Për të mos e dëmtuar imazhin e vendit, ne u kthyem në Parlament. Pas pjesëmarrjes së komisioneve ne u kthyem edhe në seancat plenare. Prandaj miratuam raport për 24 dhjetorin, prandaj miratuam bashkë Kodin Zgjedhor, dhamë mundësi për vetëdijesim dhe esëllim. Sot veç ai që është larg realitetit mund të fajësojë opozitën për pasojat negative në të ardhmen”, theksoi Zaev.

LSDM përgatit platformë për veprimin e mëtejshëm jashtëparlamentar kundër pushtetit. Zaev ftoi të gjitha forcat progresive në shoqëri për të rikthyer institucionet demokratike dhe krijimin e mundësive për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe korrekte, për të cilat edhe LSDM do të ishte pjesë e garancës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)