Ahmeti në takim të përbashkët me ndërkombëtarët

19.05.2017 19:48

Sot në Ambasadën amerikane në Shkup, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti....

Sot në Ambasadën amerikane në Shkup, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar takim të përbashkët pune me zëvendësambasadoren e ShBA-së në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm, dhe ambasadorin e Bashkimit Europian në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Kryetari Ahmeti bisedoi me bashkëbiseduesit rreth zhvillimeve në lidhje me formimin e qeverisë së re reformuese, me ç’rast përsëriti që Bashkimi Demokratik për Integrim është i përkushtuar tërësisht për t’i zbatuar reformat e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, në integrimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, marrëdhëniet e mira ndëretnike, por edhe zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Hapat e parë që do t’i ndërmarrë shumica e re parlamentare janë zgjidhja e ngërçit me pushtetin lokal si dhe shfuqizimi i testimit ekstern, si dy çështje imediate.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi që “në 16 vite veprimtarie në kuadër të BDI-së, asnjëherë s’ka pasur zhgënjim në qëndrimet miqësore dhe dashamirëse të komunitetit ndërkombëtar, prandaj edhe kërkoj ndihmën e ShBA-ve dhe BE-së që të tejkalojmë sfidat para nesh dhe ta ndihmojnë integrimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian”.