Fillojnë negociatat për Qeverinë re, Zaevi dhe Ahmeti nisin dakordimin për Qeverinë

19.05.2017 17:53

Mandatori, Zoran Zaev, filloi bisedimet për formimin e Qeverisë së re me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin....

Mandatori, Zoran Zaev, filloi bisedimet për formimin e Qeverisë së re me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.  

“Tema të takimit ishin parimet dhe bashkëpunimi, Qeveria reformatore, integrimet në BE dhe NATO”, - thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Sipas partisë së Zaevit, takimet e këtilla mes dy partive do të intensifikohen në periudhën që vjen, përfshirë edhe partitë e tjera që dhanë mbështetje për formimin e Qeverisë së re. Vetëm pas përfundimit të bisedimeve me të gjitha partitë do të kalohet në zgjidhjet konkrete për ministritë, tha zëdhënësi i LSDM-së, Petar Shilegov, para fillimit të takimit Zaev-Ahmeti. 

“E parëndësishme është çështja se si do të ndahen resorët dhe cilët do të jenë kuadrot në Qeverinë e re. Për momentin, më e rëndësishme për Maqedoninë është të vendosim parime për funksionimin e Qeverisë në interes të qytetarëve, që ta ndjejnë qeverinë për të tyren. Nëse mbeten parimet e njëjta ose sistemi i njëjtë i funksionimit të pushtetit, atëherë resorët dhe kuadrot janë të parëndësishme”,- theksoi Petar Shilegov nga LSDM.

Pozicionet politike për mbështetjen e qeverisë me pjesëmarrje në qeveri apo me mbështetje politike do të dihen vetëm pasi të përfundojnë bisedimet me të gjitha partitë politike.

Sa u përket kuadrove që do të përbëjnë ekzekutivin, një gjë është e qartë, ata duhet të jenë figura të pastra, pa afera korrupsioni dhe të mos jenë të përfshirë në hetimet e PPS-së. 

LSDM parasheh përfundimin e seancës konstituive, para seancës për zgjedhjen e qeverisë, dhe menjëherë pas kësaj do të futen në procedurë projektligjet e premtuara gjatë fushatës parazgjedhore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)