Universiteti i Tetovës, konferenca e tretë ndërkombëtare në FShZ

19.05.2017 20:11

Studiues nga vendi dhe rajoni prezantojnë punimet e tyre në konferencën e tretë.....

Studiues nga vendi dhe rajoni prezantojnë punimet e tyre në konferencën e tretë ndërkombëtare të organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara në UT.

Kjo konferencë ka një rëndësi të veçantë, pasi studiuesit e vendit dhe rajonit do t’i shkëmbejnë përvojat e tyre duke prezantuar edhe 63 punime studimore.

“Do të trajtohen tema të ndryshme shkencore, duke filluar nga projektimi, konstruktimi, projektimi i sistemeve mekratonike, sistemeve të kontrollit, qasjet gjeodezike, konfigurimin e rrjedhave në komunikacion dhe transport, si dhe projektimin e sistemeve inxhinierike”,- tha dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në UT, Nderim Zeqiri.

“Në këtë konferencë kanë arritur gjithsej 63 punime nga lëmit e lartëcekura dhe sigurisht që këshilli shkencor e ka pasur të vështirë që të bëjë seleksionimin e tyre dhe t’u mundësojë që të gjithë të bëjnë prezantimin e tyre, ku një pjesë e studimeve do të prezantohen me postera dhe një pjesë do të publikohet në formë të shtypur në librin e konferencës”,- u shpreh koordinatori i Konferencës, Skënder Palloshi.

“Kjo konferencë ndërkombëtare përfaqëson vlerat shkencore dhe për pjesëmarrësit, studiuesit nga rajoni dhe bota që e mbështesin cilësinë e kërkimit, përbën një mundësi të shkëlqyer për të realizuar një formë shkencëtarësh në lëmin e shkencave aplikative. Sa më shumë hulumtime që bëjmë ne sot, aq më shumë  rrugë i hapim diturisë në të ardhmen”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.

Në këtë konferencë u promovua edhe revista e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, që përmban punime shkencore të prezantuara në  konferencat paraprake. (Visar Sadiki, TVM2)