Ish të përndjekurit politik përplasen me policinë
Përplasja ndodhi pas një tentative të tyre për të ngritur një çadër, për të hyrë në grevë urie për faktin se nuk e kanë marrë ende dëmshpërblimin për vitet e kaluara në burg politik gjatë diktaturës…..

Ish të përndjekurit politik përplasen fizikisht me policinë vetëm pak metra larg Parlamentit Shqiptar.
Përplasja ndodhi pas një tentative të tyre për të ngritur një çadër, për të hyrë në grevë urie për faktin se nuk e kanë marrë ende dëmshpërblimin për vitet e kaluara në burg politik gjatë diktaturës.
Paralelisht me grevën e ish-punonjësve të larguar nga Administrata Shtetërore që po bëhet para Kryeministrisë, ish të përndjekurit po tentojnë të bëjnë një grevë tjetër, por ata nuk po lejohen nga policia. Në grevë nuk munguan as deputetët, si: Aldo Bumçi, Flamur Noka, Gerti Bogdani apo Gent Strazimiri, i cili u dhunua dje në Kuvend.
Bumçi dhe Bogdani u shprehen në mbështetje të plotë të kësaj greve.
Ndërsa organizatori i grevës e cila duket se po mbetet në tentativë, Fatmir Hoxha, shprehu vendosmërinë për ta realizuar qëllimin deri në vetëflijimin e të burgosurve politik.
Aktualisht, dy kategori të ndryshme sociale po protestojnë ndaj padrejtësive që pretendojnë se u janë bërë, njëra pranë Kryeministrisë, tjetra pranë Parlamentit. Greva e punonjësve të larguar nga Administrata është në ditën e saj të tetë, ndaj gjendja shëndetësore e grevistëve paraqitet mjaft e rëndë. (Luljeta Ndoka, TVM2)