Botë
Koreja e Veriut teston një raketë balistike me rreze të mesme
21.05.2017 17:21
Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike me rreze të mesme veprimi edhe përkundër reagimeve të një jave më pare...

Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike me rreze të mesme veprimi edhe përkundër reagimeve të një jave më pare, kur një zhvillim i ngjashëm u dënua ndërkombëtarisht, ndërsa Uashingtoni tha se mund të imponohen sanksione të reja kundër Phenianit.
Lëshimi i raketës së sotme u konfirmua edhe nga shefi I shtabit të përgjithshëm të Koresë së Jugut I cili deklaroi se ajo ka fluturuar për rreth 500 km, ndërsa raketa e testuar javën e kaluar fluturoi për rreth 700 km. lëshimi I raketës balistike u vërtetua edhe me reagimin e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë nga Arabia Saudite ku edhe po qëndron presidenti amerikan Donald Trump.
Ai tha se “Ne jemi të vetëdijshëm që Koreja Veriore e ka lansuar sistemin MRBM. Ky sistem, së fundit ishte testuar në shkurt dhe ka rreze më të vogël veprimi se raketat e lansuara në tri testet e fundit të Koresë Veriore”.
Të hënën e kaluar, Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara kërkoi për të disatën herë që Peniani të mos kryente më testime të tilla.
Në deklaratën e Këshillit të Sigurimit u theksua rëndësia që Koreja e Veriut “të shfaqte urgjentisht angazhim real ndaj denuklearizimit, përmes veprimeve konkrete”.
Koreja e Veriut është duke ecur paralelisht me zhvillimin e armëve bërthamore, duke zhvilluar 5 teste nukleare, si dhe atë të kapaciteteve raketore për t’i dërguar këto armë në objektivat e tyre.
Që të dyja këto zhvillime janë në shkelje dhe sfidë të hapur të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.
Ndërkohë, presidenti i sapozgjedhur koreano-jugor, Moon Jae-in, i cili ka kërkuar angazhim më të thellë me Veriun komunist, ka thirrur një takim urgjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, në kundërpërgjigje të zhvillimeve të fundit.
REXHEP QAMILI
