Botë

Trump, fton liderët arab të luftojnë ekstremizmin

21.05.2017 19:29

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje liderëve të shteteve arabe që të luftojnë kundër “esktremizmit islamik”...

Ai një apel të tillë e bëri gjatë një fjalimi para dhjetëra liderëve të shteteve myslimane në ditën e dytë të vizitës së tij në Arabinë Saudite.

Trump e ka portretizuar terrorizmin si luftë ndërmjet së mirës dhe së keqes, e jo si luftë të civilizimeve.

Ky fjalim, para më se 50 liderëve rajonalë, që po marrin pjesë në një Samit Arabo-Islamik Amerikan, ishte i fokusuar në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Kjo është luftë ndërmjet kriminelëve barbarë, të cilët synojnë ta shkatërrojnë jetën njerëzore dhe njerëzit e ndershëm të të gjitha religjioneve, që përpiqen ta mbrojnë atë”, tha Trump.

Mëtutje, Trump tha se “terrorizmi është përhapur në gjithë botën, por rruga për paqe fillon këtu, në këtë tokë të lashtë, në këtë tokë të shenjtë”.

Ai është shprehur se “Amerika është e përgatitur që qëndroj me ju në arritje të interesave dhe sigurisë së përbashkët” dhe se “Amerika nuk do ta imponojë mënyrën e vet të jetës te të tjerët, por ne i shtrijmë duart tona në frymën e bashkëpunimit dhe besimit”.

Të shtunën, Shtetet e Bashkuara nënshkruan disa marrëveshje tregtare prej 350 miliardë dollarësh me Arabinë Saudite.

Mes tyre përfshihej edhe ujdia më e madhe e armëve e arritur ndonjëherë në historinë amerikane, e cila sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson synonte t’i kundërvihej ndikimit të keq të Iranit, rivalit rajonal të Arabisë Saudite.