Maqedoni

Komiteti i Helsinkit - raporti për prillin: Politika, gjenerator kryesor i gjuhës së urrejtjes

22.05.2017 14:52

Ndodhitë politike në Maqedoni janë nxitësit kryesorë të gjuhës së urrejtjes, thonë nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në raportin e tyre për muajin prill...

Komiteti i Helsinkit thotë se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë janë shfrytëzuar nga politikanët, personat publikë dhe nga një pjesë e protestuesve të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”. Derisa liderët politikë po përpiqen që të formojnë shumicën parlamentare, në rrjete sociale vazhdon gjuha e urrejtjes dhe jotolerancës ndëretnike, thuhet në raport.
 
“Retorika me të cilën është ndjekur kriza politike, përbëhet nga thirrjet e shpeshta për dhunë ndaj jomendimtarëve të njëjtë politikë dhe ndaj përfaqësuesve të komunitetit shqiptar. Janë të ashpra porositë për dhunë në bazë politike dhe etnike, të njëjtat shpërndahen në tubime dhe protesta. Në përpjekje për t’u manipuluar me opinionin publik, në mënyrë indirekte gjuhë të urrejtjes kanë përdorur edhe personat publikë dhe politikanët, të cilët pamëdyshje kanë thirrur në dhunë gjatë kësaj periudhe. Fjalor urrejtjeje është edhe ai i përdorur nga demonstruesit e protestave “Për Maqedoni unitare e të pastër”, të cilët nënvlerësojnë bashkësitë etnike në shtet. Në raste të izoluara është vënë re gjuhë e drejtpërdrejtë urrejtjeje ndaj përfaqësuesve politikë, që përmbante madje nga thirrje për vdekje dhe linçim ndaj tyre”,- thonë nga Komitetit i Helsinkit.
 
Sipas tyre, pikërisht kjo gjuhë urrejtjeje e përdorur gjatë protestave rezultoi me dhunën ndaj deputetëve më 27 prill. Komiteti i Helsinkit u apelon institucioneve që duhet të dorëzojnë të dhënat në prokurorinë publike, të mos i informojnë personat ndaj të cilëve është hapur procedurë hetimore dhe të dënojnë të gjithë ata që kanë kryer vepra të jashtëligjshme. Gjithashtu u apelojnë edhe drejtuesve të Telekomit të bashkëpunojnë me PPS-në e t’i dorëzojnë të gjitha materialet e kërkuara nga hetuesit e Speciales. 
 
BESIM ABDULLAI