Rastet “Monstra” dhe “Kumanova”, Janeva: Janë ende në procedurë parahetimore
Prokuroria Speciale ende nuk ka përpunuar 55% të bisedave të përgjuara.....

Prokuroria Speciale ende nuk ka përpunuar 55% të bisedave të përgjuara. Kryeprokurorja Janeva kërkon që shumica e re parlamentare të vazhdojë afatin e Prokurorisë Speciale. “PPS është e përkushtuar t’i shkojë deri në fund të gjitha rasteve”, ishte decide Janeva.
“Duke marrë parasysh faktin që kjo Prokurori Publike tregoi se është në rrugën e vërtetë që me efikasitet të përballet me kriminalitetin, që është në kompetencë të saj, me qëllim që me kapacitet të plotë të tregojë qëndrueshmërinë në luftën kundër kriminalitetit dhe padrejtësisë, kërkojmë nga shumica e re parlamentare që ta fshijë, ndryshojë apo heqë nenin 22 të ligjit për PPS-në, gjë që do të mundësonte që kjo prokurori publike deri në fund t’i hetojë veprat penale që dalin nga përmbajtja e bisedave të përgjuara në mënyrë të jashtëligjshme. Gjithashtu ripotencoj rekomandimet e Komitetit të Venecias, për ndryshime në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, që në mënyrë thelbësore do të ndikojnë në procedurat hetimore që udhëheq PPS”- deklaroi kryeprokurorja publike speciale, Katica Janeva.
Janeva tha se disa raste, përfshirë këtu edhe rastet “Monstra” e “Kumanova”, janë në procedurë parahetimore dhe PSP ka nevojë për kohë shtesë që t’i publikojë të njëjtat.
“Për sa u përket rasteve për të cilat opinioni ka më shumë interes, siç është rasti “Monstra”, “Shkupi 2014”, Vrasja e Martin Neshkovskit, “Lagja e trimave” etj, desha të theksoj se në këtë periudhë ende nuk jemi në gjendje të informojmë opinionin, për shkak se këto raste janë ende në procedurë parahetimore”,- theksoi kryeprokurorja publike speciale, Katica Janeva.
Rasti “Sopoti” , Fetahi: Dëshmitari u torturua, PTHP të na japë lëndën
Për rastin “Sopoti”, nga PPS akuzojnë Prokurorinë Themelore se nuk ua dorëzon rastin hetuesve specialë. Por, PSP ka hetuar bisedat e përgjuara rreth rastit dhe ka konkluduar se dëshmia e Ramadan Bajramit është dhënë nën presion.
“Dëshmia e tij erdhi si pasojë e përdorimit të forcës dhe kërcënimeve ndaj tij, me dëmtimin e integritetit personal të dëshmitarit nga ana e personave zyrtarë në MPB, gjatë kohës së marrjes së tij në pyetje, duke bërë veprën penale “torturë”, sipas nenit 141 të Kodit Penal. Faktet e tilla i ka thënë vetë dëshmitari, por edhe një pjesë e personave zyrtarë. Marrë parasysh kohën kur është kryer vepra penale “torturë”, ajo tashmë është procedurë e vjetruar, me afat të kaluar që në vitin 2008”,- u shpreh prokurorja speciale publike, Fatime Fetahi.
Por, edhe përkundër kësaj, PSP thotë se nëse Prokuroria Themelore ua dorëzon lëndën, çështja mund të rihapet në bazë të fakteve të reja që dalin nga materialet e përgjuara. Ka procedurë hetimore për kryerësit e kësaj vepre, por për shkak të fshehtësisë së hetimeve nga PSP nuk dolën me emra. (Migena Gorenca, TVM2)
