Maqedoni

Dhuna në Kuvend, Sela: atentat politik ndaj nevojave të shqiptarëve; Sela: përgjegjësi për “Sopotin”, “Monstrën” dhe “Harun Aliun”

22.05.2017 16:52

Atentat mbi nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe artikulimit politik të nevojave të tyre, kështu e ka cilësuar dhunën e ushtruar në Kuvend...

Atentat mbi nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe artikulimit politik të nevojave të tyre, kështu e ka cilësuar dhunën e ushtruar në Kuvend dhe sulmin ndaj tij më 27 prill kreu i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
 
Ai në paraqitjen e parë të tij tha se pavarësisht nga zhvillimet në Kuvend, edhe më tej do të vazhdojë me artikulimin e interesave politike të shqiptarëve në Maqedoni.
 
“Ndodhia që ndodhi më 27 prill ishte atentat ndaj nevojave të cilat shqiptarët i kanë këtu në Maqedoni. Ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave, që ne si Lëvizje për Reforma i kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne na vranë më 27 prill dhe ne u ringjallëm përsëri më 27 prill. Ne do të vazhdojmë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojmë politikisht akoma më fuqishëm”,- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
 
Sela tha se do të kërkojë që përpara se të zbardhet rasti i 27 prillit, ku u sulmua ai, të zbardhen rastet “Sopoti”, “Monstra”, “Harun Aliu” etj. 
 
“Përpara se të arrijmë te 27 prilli, unë do të kërkoj përgjegjësi politike për “Sopotin”. Shqiptarët e Sopotit duhet liruar dhe ata që i futën në burg të hynë në vend të atyre në burg dhe të marrin përgjegjësinë. Përpara se të kërkoj përgjegjësi politike për 27 prillin dhe përgjegjësi individuale në aspekt të së drejtës së dikujt, do të kërkoja të lirohen dhe sa më shpejt të zbardhet procesi i montuar  politik “Monstra”, i vrasjes së Harun Aliut dhe shumë procese të montuara politike”,- theksoi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
 
Kreu i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, para se të dalë në konferencë për media ka dhënë dëshminë e tij në Prokurori për dhunën e ushtruar në Kuvend ndaj tij dhe deputetëve të tjerë më 27 prill të këtij viti. 
 
NAIM RAMADANI