Maqedoni

PSP me tre lëndë të reja, Gruevski nën hetime për larje parash; “Trevnik”,”Trajektorja” dhe “Talir”, 3 lëndët e reja të PSP-së, hetim për krim financiar

22.05.2017 17:13

Lideri i VMRO-DPMNE-së është i dyshuari i parë në dy rastet e hapura hetimore të Prokurorisë Speciale “Talir” dhe “Traektor”...

Lideri i VMRO-DPMNE-së është i dyshuari i parë në dy rastet e hapura hetimore të Prokurorisë Speciale “Talir” dhe “Traektor”, dhe  së bashku me të tjerë drejtues të lartë të VMRO-së akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare.
 
Në lëndën “Tallir”, ai dyshohet për larje parash dhe financim joligjor të partisë. Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, tha se lëndë hetimi nuk është parti politike, por janë 11 persona të dyshuar, funksionarë të saj të cilët kanë dëmtuar partinë dhe kanë prishur imazhin e saj.
 
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nga viti 2009 deri më vitin 2015 ka mundësuar financim joligjor të partisë me qëllim përforcimin e rolit të tij në parti dhe shtet, me çka në llogari të partisë për këto vite janë regjistruar pothuajse 5 milion euro dhe pastaj këto të holla janë shfrytëzuar për qëllime partiake dhe blerje të pronave.
 
Nga viti 2009 deri më vitin 2015, ata kanë blerë 71 prona të patundshme në emër të partisë.
 
Nga PSP kërkojnë ngrirjen e gjitha pronave të VMRO-së të  siguruara në mënyrë joligjore e që burojnë nga vepra penale, përfshi këtu edhe selinë e VMRO-DPMNE-së. Për këtë lëndë dyshohen gjithsej 14 persona. 
 
“Në periudhën hetimore në llogarinë e partisë janë regjistruar 4 milion e 900 mijë euro. Mjetet më pas janë shfrytëzuar për pagesën e obligimeve të rregullta, reklama, shërbime hotelerike, por edhe për blerjen e patundshmërive më 70 marrëveshje”,- theksoi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
“Sipas analizave të hetimit, në periudhë të shkurtër kohore janë kryer pagesa në llogari të partisë, pagesat janë kryer në interval kohor prej 20-30 sekonda dhe janë të mbushura me shkrimin e njëjtë”,- theksoi zëdhënësja e PSP-së, Lençe Ristovska.
 
Në rastin “Traektorja”, të dyshuarit: Gruevski zëvendëskryeministri i çështjeve ekonomike, Vlladimir Peshevski, dhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
 
Në periudhën prej vitit 2012 dhe 2013 të dyshuarit e kanë vendosur tenderin për ndërtimin e autostradave Milladinovcki – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, pa respektuar Ligjin për furnizime publike, duke dëmtuar buxhetin me rreth 155 milion euro.
 
“Nga dëshmitë të cilat janë siguruar deri më tani ka dyshim të bazuar se katër personat zyrtarë gjatë procedurës për zgjedhje të kompanisë për kryerjen e punimeve, përkundër asaj që kanë mënjanuar përdorimin e Ligjit për furnizime publike, kanë vepruar edhe në kundërshtim me kushtet e ofruara të Qeverisë kineze dhe kushtet e Bankës kineze “Eksim” si huadhënës”,- tha prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Rasti i tretë i PSP-së është  lënda “Lëndina”, që ka të bëjë me tre vila në Zelenikovë të ndërtuara pa leje ndërtimi, leje e cila u është dhënë dy vjet më vonë. Nga Prokuroria Speciale nuk kërkuan masën e paraburgimit për asnjë të dyshuar në të tre rastet hetimore të publikuara.
 
FLORIJE BELULI – KAMBERI