Basketboll

Xhorxh mbajti Indianën në lojë

29.05.2014 16:30

Basketbollistët e Indianës mundën Majamin në shtëpi me 93:90 dhe zvogëluan në 3-2 dizavantazhin e fitoreve në serinë finale të Lindjes...

Basketbollistët e Indianës mundën Majamin në shtëpi me 93:90 dhe zvogëluan në 3-2 dizavantazhin e fitoreve në serinë finale të Lindjes.

Njeriu vendimtar i sfidës së pestë ishte Poll Xhorxh, I cili 21 nga gjithsej 37 pikët e tij I shënoi në periudhën e fundit të ndeshjes, ndërsa fitoren e solli edhe loja e dobët e Lebron Xhejmsit në anën e kundërt.

Mbreti, shkaku I problemeve me faulet, në parket kaloi vetëm 24 minuta dhe për atë kohë regjistroi vetëm shtatë pikë, me dy gjuajtje precize nga gjithsej dhjetë orvatje.

Majami, pas pjesës së parë avanconte me nëntë pikë diferencë, por Pejsersat nuk u dorëzuan, u kthyen me 31 pikë në periudhën e tretë, që të bartur nga i shkëlqyeshmi Xhorxh të vazhdojnë këtë seri edhe për një ndeshje.

Te Indiana, pos lojtarit më të mirë, u dallua edhe Dejvid Vest me 19 pikë e shtatë kërcime, ndërsa Roj Hibert kishte 10 pikë e 13 kërcime. Te Hit, më së shumti u veçuan Kris Bosh dhe Dvejn Vejd, me 20, respektivisht 18 pikë.

Ndeshja e gjashtë e serisë finale në Lindje, do të luhet të premten në mbrëmje, sërish në parket të Majamit, me ç`rast vendasit, në rast të fitores do të plasohen për herë të katërt rradhazi në finalen e madhe.

ARTAN ZIBERI