Maqedoni
Bisedimet për qeverinë e re, Zaevi takon Selën, fillon bisedimet me APSh-në
22.05.2017 17:48
Mandatori për formimin e qeverisë së re, Zoran Zaev, filloi bisedimet edhe me Aleancën për Shqiptarët...

Para takimit me liderin e LR-PDSh-së, Zijadin Sela, Zaev tha se është kënaqur me rrjedhën e bisedimeve për formimin e Qeverisë së re.
“Me rëndësi është arritja e një marrëveshjeje cilësore që në plan të parë e ka interesin e qytetarëve, sesa shpejtësia për formimin e qeverisë”,- tha Zaevi, i cili paralajmëroi fillimin e bisedimeve për ndarjen e resorëve dhe zgjidhjet kadrovike, që nesër.
“Po rrjedhin bisedimet me të gjitha partitë politike. Shpresoj që fillimisht të rrumbullakojmë parimet e rëndësishme, për atë që është interes i qytetarëve të Maqedonisë, si vend i përbashkët. Më vjen mirë që në këtë pjesë bisedimet po ecin në drejtimin e duhur. Besoj se sot ose nesër do të fillojmë të bisedojmë edhe për resorët dhe emrat. Më vjen mirë që edhe z. Sela është më mirë, që të mund të fillojmë bisedimet edhe me Aleancën për Shqiptarët. Unë do kisha dashur ta formojmë qeverinë që nesër. Bëjmë përpjekje, të paktën për shkak të Brukselit. Por, gjithsesi më e rëndësishme është cilësia, të dakodohet siç duhet ajo që paraqet interes të qytetarëve, që të mundemi propozimin ta dërgojmë në Kuvendin e RM-së”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Aleanca për Shqiptarët është e interesuar për qeverisje të re dhe do ta mbështesë qeverisjen e re, tha kreu i LR-PDSh-së, Zijadin Sela, para takimit me mandatorin Zaev. Vendimin për pjesëmarrje në qeveri do ta marrin organet e partisë, sqaroi ai.
“Aleanca për Shqiptarët gjithmonë ka qenë për qeverisje të re, qeverisje të reformuar dhe qeverisje në shërbim të qytetarit. Jemi për qeverisje të re dhe qeverisja e re do të ketë përkrahjen tonë. Pak rëndësi ka a do të jemi ne fizikisht prezent pjesë e qeverisë ose jo, sepse për këtë do të duhet të marrin vendim organet e partisë. Por, ne qeverinë e reformave do ta përkrahim ashtu siç do të jemi katalizatori kryesor i realizimit të kërkesave të shqiptarëve në këtë qeverisje të re”,- u shpreh kryetari i LR-PDSh-së, Zijadin Sela.
Mandatori, Zaev, paraprakisht ka filluar bisedimet edhe me BDI-në edhe me Lëvizjen BESA. Tre subjektet politike shqiptare së bashku me koalicionin të kryesuar nga LSDM përbëjnë shumicën e re parlamentare dhe i dhanë mbështetjen kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, për të marrë mandatin për formimin e qeverisë.
Por, a do të ndajnë së bashku edhe pushtetin ekzekuv, do të varet nga rrjedha e bisedimeve.
SHPËTIM NUREDINI
