Mançester, godet terrorizmi, 22 të vrarë dhe 59 të plagosur
Ka shkuar në 22 bilanci i viktimave nga shpërthimi në Mançestër ku mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa raportohet edhe për 59 të plagosur...

Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në orën 22:35 të së hënës pas një koncerti pop nga këngëtarja amerikane, Ariana Grande. Autoritetet britanike thanë se janë duke e trajtuar këtë rast si “incident terrorist”.
“Deri më tani kemi konfirmuar se 22 persona janë të vdekur dhe rreth 59 të tjerë janë plagosur. Kjo është duke u trajtuar si incident terrorist, derisa policia të mësojë më shumë”,- ka thënë policia.
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarje.
“Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”,- ka thënë May përmes një deklarate për media.
Të dhënat e para flasin se shpërthimi është shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës, ndonëse autoritetet në Britani nuk e kanë konfirmuar këtë informacion.
Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert.
