“Kumanova”, pala mbrojtëse kërkon tërheqjen e trupit gjykues
23.05.2017 11:43
Sot zhvillohet seanca e radhës gjyqësore për rastin “Kumanova”....

Gjatë seancës pala mbrojtëse ka kërkuar tërheqje të trupit gjyqësor dhe prokurorisë, nën arsyetimin se refuzimi i propozimeve 98 për qind të dëshmitarëve është i papranueshëm dhe pengon zbardhjen e rastit në tërësi. Avokatët kanë lëshuar akuza të ashpra drejt Këshillit Gjyqësor për arsye se Prokurorisë i janë pranuar 100 për qind të dëshmive plotësuese.
Gjatë seancës pala mbrojtëse ka kërcënuar se nëse nuk pranohen dëshmitarët, ata do të jenë të detyruar ta braktisin seancën dhe të kalojnë në fazën ku të akuzuarit do duhet të vetëmbrohen.
Ndryshe, i akuzuari Andi Krasniqi-Malisheva ka theksuar se që nga fillimi i procesit gjyqësor është vërejtur se nuk ka drejtësi. Sipas tij, për këtë flet edhe rasti kur gjatë dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur është ndërprerë rryma. Bëhet fjalë për dëshmitar i cili ka dhënë dëshmi në favor të të akuzuarve. Edhe gjatë seancës së sotme të akuzuarit kanë përmendur dhunën e ushtruar ndaj tyre gjatë transportit nga shtëpitë ndëshkuese deri në gjykatë dhe anasjelltas. Për momentin trupi gjyqësor është tërhequr për të marrë vendim për hapat e mëtejmë.
