Botë

Akuzohet për korrupsion, presidentja koreano-jugore në gjykatë

23.05.2017 12:06

Ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun hye është vetëdeklaruar e pafajshme në gjyqin ndaj saj...

Presidentja e rrëzuar përballet me një sërë akuzash, përfshirë marrje ryshfeti, abuzim me anë të detyrës dhe publikim të informacioneve sekrete. 
 
Në shfaqjen e parë në publik që nga arrestimi në muajin mars, Park mbërriti në gjykatë e prangosur dhe me një furgon burgu. Dënimi maksimal për korrupsion në vendin aziatik është burgimi i përjetshëm.
 
Konkretisht, ish-kryetarja e shtetit akuzohet për bashkëpunim me shoqen e saj të ngushtë Choi Soon sil për t’u zhvatur para kompanive më të mëdha të Koresë së Veriut, përfshirë “Samsung”, në këmbim të favoreve politike. 
 
Bashkëpunëtorja e Park, që përballet me të njëjtat akuza, ishte e ulur pranë saj në fillim të gjyqit. Edhe ajo u vetëdeklarua e pafajshme në fillim të procesit. 
 
Në fillim të procesit, avokatët e ish-presidentes deklaruan se nuk ka pasur asnjë arsye që ajo të detyronte kompanitë t’i dhuronin fonde, të cilat më pas nuk do të kishte patur mundësi t’i përdorte. 
 
Kur u pyet nga gjyqtarët se çfarë pune bënte, ajo u përgjigj thjesht: “jam e papunë”. 
 
Park ishte veshur me një kostum të zi dhe jo uniformën e burgut. Ndërsa në gjoks mbante një etiketë me numrin 503, që është dhe numri i saj i burgut./Top Channel