Botë
Sulmi në arenën “Mançester”, 22 të vdekur, dyshohet për sulm terrorist
23.05.2017 12:39
Është rritur në 22 numri i të vdekurve nga shpërthimi i së hënës mbrëma, në arenën “Mançester” në Britani...

Është rritur në 22 numri i të vdekurve nga shpërthimi i së hënës mbrëma, në arenën “Mançester” në Britani, në kohën kur mbahej koncerti i këngëtares, Ariana Grande.56 të tjerë janë dërguar të plagosur në 6 spitalet e zonës. Autoritet britanike janë duke e trajtuar këtë rast si “sulm terrorist”. Policia britanike beson se ka qenë një sulmues që ka detonuar pajisjen shpërthyese, duke mbetur i vdekur në vendngjarje. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse personi ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë.
“Aktualisht ngjarja po trajtohet si sulm terrorist. Po punojmë bashkërisht me anti-terrorin. Është një ditë e rëndë për të gjithë. Po hetojmë çdo pistë të mundshme për të zbuluar të vërtetën”,- theksoi shefi i Policisë së Mançesterit, Ian Hopkins.
Kryeministrja, Theresa May, tha se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarje.
Britania është në mesin e fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme më 8 qershor. Pas shpërthimit, partitë politike pezulluan fushatën. Niveli i gatishmërisë në vend është në nivelin e dytë, më i lartë që prej tre vjetësh. E veçanta e sulmit të fundit është se objektiv janë bërë fëmijët dhe të rinjtë. Dëshmitarët flasin për një “shpërthim të fuqishëm”.
“Ishim në koncert dhe po kërkonim karriget tona. Dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. Filluam të vraponim drejt dyerve. Gjithandej dëgjoheshin ulërima dhe të qara. Ishte çmenduri totale. Njerëzit erdhën të shohin këngëtaren e preferuar dhe vdiqën”,- theksoi dëshmitarja okulare, Anika.
Anika është ndër njerëzit më me fat. Prindër të tjerë ende kërkojnë fëmijët e tyre, për të cilët nuk dinë asgjë nga shpërthimi i mbrëmshëm. Olivia Cambell është njëra prej të zhdukurave.
“Dëgjuam lajmin dhe iu lajmërova menjëherë, askush nuk e ngrinte telefonin, nuk e dimë a është gjallë. Kërkuam ndihmë nga miqtë e saj në të gjitha rrjetet sociale, por asnjë lajm. Pres që në çdo moment të më kthehet gjallë në shtëpi, nuk dua të mendoj që mund të jetë mes viktimave. Asnjë spital nuk ka të dhëna për të, policia po kërkon edhe në hotelet që mbrëmë strehuan mijëra fëmijë”,- u shpreh nëna e Olivias, Charlotte Campbell.
Sharlot, njësoj si të gjithë njerëzit e tjerë, nuk e kupton përse dikush duhet t’u bënte keq fëmijëve.
“Pse duhej të ndodhte?! Ishte një koncert për fëmijë. Askush nuk duhet t’u bëjë keq fëmijëve, ata janë të pafajshëm. Çfarë u kanë bërë fëmijët? Ata as që e kuptojnë çfarë po ndodh në botë, ishin thjesht fëmijë”,- tha nëna e Olivias, Charlotte Campbell.
Britania ka ashpërsuar luftën kundër terrorizmit që nga sulmet me bomba në 7 korrik të 2005, ku mbetën të vdekur 52 persona. “Manchester Arena” është arena më e madhe e mbyllur në Europë dhe ka kapacitet për 21 mijë persona, pra sulmuesi kishte planifikuar vrasjen e më shumë viktimave pasi salla ishte e mbushur në kapacitetin e plotë të saj. Por, siguria e shtuar duket se ka pamundësuar terroristin të hyjë brenda sallës, ku viktimat mund të ishin shumë më tepër.
BELINDA KOKA-ADEMI
