Botë
Sulmi në arenën “Mançester”, reagojnë liderët botërorë: Akt monstruoz
23.05.2017 12:57
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e ka etiketuar terroristin që hodhi në erë “Manchester Arena”...

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e ka etiketuar terroristin që hodhi në erë “Manchester Arena”, si një “dështak mizor”, ndërkohë që shtoi se liderët botërorë e dënojnë këtë akt monstruoz.
Trumpi u shpreh se ShBA-të solidarizohen me Britaninë, në sulmin ku mbetën të vdekur 22 persona dhe u plagosën më shumë se 59 të tjerë. Vladimir Putin ofroi gjithashtu bashkëpunimin e tij me Mbretërinë e Bashkuar pas sulmit çnjerëzor në koncertin e Ariana Grandes. Presidenti i sapozgjedhur francez, Emmanuel Macron, shprehu “horrorrin dhe shokun” që kishte përjetuar kur mori vesh për sulmin, ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri të ditur se Gjermania qëndronte në krah të tyre për gjithçka.
Ngushëllime familjeve të viktimave dhe qeverisë britanike i ka shprehur edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, e cila e ka përshkruar ngjarjen si sulm ndaj dëshirës së europianëve të rinj për gjërat e bukura të jetës.
Por, më e rëndësishme se reagimet është oferta për bashkëpunim mes organeve të inteligjencës, si dhe koordinimi ndërkombëtar mes tyre për të gjurmuar dhe shmangur sulmet terroriste, si ky i Mançesterit.
