“Lagja e trimave”: Avokatët kërkojnë përjashtim të trupit gjykues dhe prokurorëve

23.05.2017 15:16

Avokatët mbrojtës të angazhuar në rastin e Kumanovës....

Avokatët mbrojtës të angazhuar në rastin e Kumanovës, të pakënaqur me mospranimin e dëshmitarëve të propozuar, kanë kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe prokurorëve të angazhuar në këtë rast.

Ata thonë se trupi gjykues nuk është profesionalisht i denjë të drejtojë rastin, pasi që 98% e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojta, rreth 30 persona zyrtarë dhe politikanë, janë refuzuar, ndërkaq janë pranuar në tërësi dëshmitarët e propozuar nga prokuroria.

Është evidente se prokuroria dhe trupi gjykues kanë bashkëpunim, thonë avokatët mbrojtës. Ata kërkuan që t’u lejohet të vërtetohet mënyra se si të akuzuarit kanë ardhur në Kumanovë.

Avokati, Shasivar Iseini, tha se edhe ky rast është i montuar, prandaj janë të pakta  përpjekjet për ta dëshmuar të vërtetën.

“Meqenëse gjatë deklaratave që dhanë të akuzuarit u paraqit nevoja për t’u vërtetuar motivi i atyre se pse kanë ardhur këtu, se a i ka thirrur dikush për t’i pyetur si dëshmitarë edhe njerëzit kompetentë që kanë udhëhequr atë aksion, si ish-kryeministri, ish-ministrja e brendshme, drejtori i sigurimit shtetëror, pasi është e pamundur që këta njerëz me atë arsenal të kenë hyrë në Maqedoni ndërsa shërbimet e mbrojtjes mos ta dinë, prandaj kërkuam përjashtim të trupit gjykues”,- theksoi avokati mbrojtës, Shasivar Iseini.

“Kjo është hera e parë që 98% e provave të propozuara prej avokatëve të refuzohen dhe të gjitha provat 100% të prokurorisë të pranohen. Është evidente që prokuroria dhe trupi gjyqësor kanë qenë me marrëveshje për provat se si do të pranohen, d.m.th. se nuk e kemi barazinë me prokurorinë dhe prej fillimit të seancave praktikisht nuk i kemi armët e njëjta me prokurorinë”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Avokati Raufi tha se do të insistojnë të ketë hetim ndërkombëtar dhe nëse nuk do të ketë përjashtim të trupit gjykues atëherë të akuzuarit dhe avokatët do të bojkotojnë procesin.

Gjatë seancës së sotme i akuzuari, Andi Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva, u deklarua se që nga fillimi i gjykimit ka qenë e ditur se ky rast do të montohet që nga momenti kur dëshmitari i mbrojtur filloi të deklarohet në favor të të akuzuarve, ku në gjykatë u ndal rryma, u ndërpre seanca dhe e njëjta vazhdoi një ditë tjetër me dëshmi të ndryshuar. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)