Incidentet në Kuvend, dënim me kusht për nëntë dhunuesit e deputetëve

23.05.2017 15:38

Gjykata themelore në Shkup shqiptoi dënime me kusht....

Gjykata themelore në Shkup shqiptoi dënime me kusht për nëntë të akuzuarit për dhunë ndaj deputetëve në incidentet e 27 prillit në Kuvend.

Sipas vendimit gjyqësor, tetë prej të akuzuarve iu shqiptua dënim me nga gjashtë muaj burg, të cilin do ta mbajnë vetëm nëse brenda një viti e gjysmë do të bëjnë vepër tjetër penale, derisa të akuzuarit të nëntë po ashtu iu shqiptua dënim me kusht prej një viti e gjysmë, me ndalesën që për pesë vite të mos bëjë vepër penale. Të akuzuarit paraprakisht pranuan fajin dhe nga gjykata dolën shumë të kënaqur. Edhe avokatët e tyre mbetën të kënaqur nga vendimi gjyqësor.

“Me faktin që të akuzuarit e pranuan fajin, ata morën masën alternative e që është dënim me kusht, kështu që pjesa më e madhe e të dëmtuarve nuk kërkuan të kyçen në procesin e ndjekjes nga ana e Prokurorisë dhe nuk kërkuan dëmshpërblim, ndërsa kjo ishte edhe një rrethanë lehtësuese ndaj të akuzuarve”,- deklaroi avokatja, Valentina Nikollovska.

“Të akuzuarit ishin të vetëdijshëm se me vetë praninë e tyre ishin pjesëmarrës në veprën penale, kështu që secili që ka qenë i pranishëm mund ta ketë kryer këtë vepër. Ata ishin të ngërthyer në turmë dhe nuk kishin dëshirë që askënd ta lëndojnë”,- theksoi avokati, Vllado Dokulevki.

Ndërkohë edhe pesë persona të tjerë janë thirrur në bisedë në Polici për ngjarjet e dhunshme në Kuvend. Bëhet fjalë për personat me iniciale D. M. (28) nga Vinica, I. P. (39), Z. Z. (47), N. P. (37) dhe J. P. (41), të gjithë nga Shkupi. Siç njoftoi MPB, pas bisedave me ta ata janë liruar, ndërsa në konsultimet me prokurorin publik, ndaj katër prej tyre do të dorëzohet parashtresë përkatëse.

Sektori për Punë të Brendshme - Shkup edhe më tej është duke ndërmarrë masa dhe aktivitete lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvend për sigurimin e personave të tjerë të denoncuar, si dhe identifikimin dhe dokumentimin e personave të tjerë pjesëmarrës në ngjarje. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)