Maqedoni
Tetovë, fillon “Watch Out”, 241 filma nga 92 shtete
23.05.2017 16:38
Festivali i filmit “Watch Out” fillon sonte me prezantimin e filmave të metrazhit të shkurtër në qytetin e Tetovës për të gjashtën herë me radhë në Tetovë...

Sipas organizatorëve të festivalit, këtë vit në festival kanë aplikuar mbi 241 filma nga 92 shtete të ndryshme të botës.
“Kemi rritje gjeografike, kemi nga pesë kontinentet, nga 92 shtete, kemi 241 aplikacione filmash, por kemi edhe rritje kualitative. Personat që kanë aplikuar me filmat e tyre janë persona që kanë marrë pjesë në festivale filmash me renome dhe janë persona që kanë marrë çmime të rëndësishme. Festivalin “Wach Out” e njohin si pikë referimi për këtë pjesë të Europës Juglindore dhe kjo është një motiv shtesë për ne”,- theksoi Bujar Luma nga Qendra “Loja”.
“Jam i kënaqur që jam këtu në “Watch Out” me 92 shtete, me filmat e tyre, që e bën vërtetë një festival ndërkombëtar dhe i kënaqur po ashtu që u përzgjodha të përfaqësoj ShBA-në këtu. Dy vite më parë pata dhe një film të shkurtër që e shfaqja tek Teatri i Shtëpisë muze të Komunistëve, por këtë vit jam këtu për t’u kënaqur me filmat”,- tha producenti nga ShBA, SKIP BLUMBERG.
Përndryshe, ky festival, si çdo vit tjetër, shfaqet në ambientet e hapura, saktësisht në amfiteatrin e Shtëpisë Memorialë të Partisë Komunistë në Tetovë dhe do të zgjasë nga dita e sotme deri më 26 maj.
Organizatorët edhe këtë vit e ripërsëritën se nuk kanë asnjë mbështetje as nga pushteti lokal dhe ai shtetëror, prandaj kërkojnë që në të ardhmen të rritet bashkëpunimi mes institucioneve dhe shoqërive civile.
VISAR SADIKI
